Flash News

E-TJERA

Ndryshe nga Rama, Meloni tërhiqet nga projekti i resortit në Sardenjë

Ndryshe nga Rama, Meloni tërhiqet nga projekti i resortit në

Ndryshe nga Shqipëria, e cila ka hyrë në muajin e dytë të protestave kundër projektit turistik në zonën e mbrojtur Pishë Poro–Nartë, qeveria italiane ka bërë një hap pas, duke anuluar autorizimin për ndërtimin e një projekti turistik me pesë yje në bregdetin verilindor të Sardenjës.

Zona ku ishte planifikuar projekti ndodhet brenda brezit 300 metra nga vija bregdetare, ku Plani Rajonal i Peizazhit të Sardenjës ndalon ndërtimet e reja për shkak të ruajtjes së natyrës. Sipas WWF Itali, bëhet fjalë për një zonë me vlera të jashtëzakonshme natyrore dhe peizazhore, e cila do të rrezikohej nga realizimi i projektit.

Deputetja e Parlamentit Evropian, Cristina Guarda, gjatë vizitës së eurodeputetëve në Shqipëri, i tha Citizens.al se protestat në Shqipëri kanë shërbyer si frymëzim edhe për nxitjen e kundërshtive qytetare në jug të Italisë.

Vendimi erdhi vetëm dy ditë pasi Këshilli Bashkiak i Loiri Porto San Paolo (komunë në verilindje të Sardenjës), anuloi ndryshimin urbanistik që i hapte rrugë projektit. Me vendimin e ri, ndërtimet e reja u ndaluan dhe më shumë se gjysma e zonës do të mbetet park publik.

Më 1 korrik, banorët dhe aktivistët protestuan në Cala Finanza dhe nisën një peticion online kundër projektit.

“Është i njëjti model grabitqar kundër të cilit po reagon me forcë populli shqiptar, duke na treguar se ia vlen të luftosh”, tha Guarda pas tërheqjes së qeverisë italiane nga projekti.

Sipas saj, qeveria e Giorgia Melonit nuk mund të anashkalojë rajonet, bashkitë dhe institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e natyrore, për të ndërtuar resorte me pesë yje të destinuara për të pasurit, në dëm të qytetarëve.

Edhe pse bëhet fjalë për një fitore të vogël, plane të tjera ndërtimi janë parashikuar në Ostuni, në rajonin e Pulias, ku, sipas Guardas, territori po shitet duke shfrytëzuar lehtësitë e Zonës Ekonomike Speciale. Për këtë rast, pritet vendimi i Gjykatës Administrative Rajonale, pas padisë së qytetarëve dhe organizatës “Legambiente”.

“Zhvillimi i territorit bëhet duke planifikuar së bashku me komunitetet, jo duke imponuar nga lart projekte që kanë ndikim të madh mbi natyrën dhe qytetarët”, tha Guarda.

Ajo shtoi se vendimi për shfuqizimin e autorizimit tregon se, kur qytetarët aktivë dhe institucionet bashkëpunojnë, mbrojtja e territorit dhe e së mirës së përbashkët mund të triumfojë mbi interesat e një pakice.

Ndërkohë në Tiranë, qeveria nuk ka shprehur publikisht asnjë rimendim për projektin në Zvërnec. Përkundrazi, kryeministri Edi Rama është shprehur i vendosur se projekti do të vijojë.

“Nuk ka asnjë shans që investimi të ndalojë sa kohë unë do të jem këtu […], ndërsa teoria ‘ndalu ti se jemi ne’, me mua nuk ka funksionuar, nuk funksionon dhe nuk do të funksionojë”, është shprehur Rama në një dalje televizive më 2 qershor, ndërkohë që vendosmëria e tij është artikuluar edhe në media ndërkombëtare.

Teksa kryeministri pretendon se edhe ai e do natyrën dhe pelikanët, si dhe se dëshiron të zbatojë projekte “në harmonizim” me natyrën, vlerësimi i ndikimit në mjedis pritet të kryhet pasi makineritë kanë ndërhyrë tashmë në infrastrukturën e zonës së mbrojtur, duke hapur rrugë dhe hedhur beton.

Eurodeputetja holandeze Tineke Strik, në një konferencë për mediat pas vizitës në Nartë, tha se, pavarësisht takimit me ministrin e Mjedisit, Sofjan Jaupaj, nuk u mor asnjë garanci se aktivitetet do të ndalen.

“Nuk mund ta përkeqësosh fillimisht situatën dhe më pas të thuash se pas një viti e gjysmë do ta harmonizosh me standardet evropiane”, tha Strik, duke iu referuar takimit me Jaupaj. “Deri atëherë dëmi është bërë”, përmbylli ajo./ Citizens Channel

Të fundit