E-TJERA

SPAK arreston “kokën” e grupit kriminal të Fushë-Krujës, bashkëpunëtor me fisin Rraja

SPAK arreston “kokën” e grupit kriminal të

SPAK ka arrestuar një person të dyshuar si drejtues i një grupi të strukturuar kriminal të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës nga Shqipëria drejt Malit të Zi, Turqisë, vendeve të BE si dhe Amerikës së Jugut, ndërsa ka zbardhur edhe tre episode të trafikimit të sasive të mëdha të drogës.

Në pranga përfundoi Emiljan Burba, ndaj të cilit Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurimit “arrest në burg”, ndërsa hetimet ndaj tij kishin nisur që në 2024 për veprat penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”, “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerjes së veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”.

Sipas SPAK, Emiljan Burba konsiderohet një nga drejtuesit e grupit kriminal, veçanërisht për episodin e trafikut të 236 kilogramëve marijuanë drejt Turqisë.

Nga hetimet e deritanishme janë identifikuar edhe 14 persona, ndaj të cilëve janë caktuar masa sigurimi, pasi dyshohet se kanë qenë pjesë e grupit kriminal dhe të përfshirë në organizimin e trafikut të drogës.

“Nga këqyrja dhe analiza e të dhënave të administruara, është bërë e mundur identifikimi fillimisht i 14 (katërmbëdhjetë) personave nën hetim, të proceduar më parë për interesa të këtij procedimi penal: I. S., (alias X.,), E. Sh., R. Rr., B. S (alias X), A. N (alias L. S.,), H. S (alias X, alias L.,), V. B., P. Rr., G. Rr., A. A., (alias Ç.,), A. Gj., (alias I.,), A. Q., J. Ç., dhe M. B., ndaj të cilëve, janë caktuar dhe masat e sigurimit personal pasi dyshohen se kanë qenë të përfshirë në veprimtari kriminale në trafikimin të lëndëve narkotike”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Sipas hetimeve, grupi kriminal organizonte trafikimin e lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Malit të Zi me destinacion përfundimtar Gjermaninë, nga Shqipëria drejt Turqisë, si dhe transportin e kokainës nga vendet e Amerikës së Jugut drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Një pjesë e provave janë siguruar përmes analizës së komunikimeve në platformën e enkriptuar Sky ECC.

SPAK bën me dije se deri tani janë dokumentuar tre episode të trafikut ndërkombëtar të drogës, ku në total janë sekuestruar mbi 2.4 ton lëndë narkotike. Konkretisht:

3 nëntor 2020 – Autoritetet malazeze sekuestruan 1,722 kilogramë marijuanë, e transportuar nga Shqipëria me destinacion Gjermaninë.

26 janar 2021 – Autoritetet turke sekuestruan 236 kilogramë marijuanë, të nisur nga Shqipëria drejt Turqisë.

23 nëntor 2020 – Autoritetet holandeze sekuestruan 475 kilogramë kokainë në portin e Vlissingen, në një ngarkesë që kishte mbërritur nga Ekuadori.

SPAK bën të ditur se hetimet vazhdojnë për identifikimin dhe dokumentimin e përfshirjes së personave të tjerë që dyshohet se kanë marrë pjesë në këtë aktivitet kriminal ndërkombëtar.

Të fundit