Flash News

Ditari i Maxhorancës

4 miliardë lekë për Kanye-n, Rama mbron financimin: Përdorëm fondin e emergjencës për të mos turpëruar Shqipërinë

4 miliardë lekë për Kanye-n, Rama mbron financimin:

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas polemikave për financimin e koncertit të Kanye West në Tiranë, për të cilin qeveria ka akorduar 4 miliardë lekë nga fondi i emergjencave.

Në reagimin e tij, Rama e ka justifikuar vendimin duke deklaruar se paratë janë përdorur “për të mos turpëruar Shqipërinë” përpara mijëra të huajve që kanë blerë bileta për koncertin.

“4 milionë euro në minutën e fundit, për të mos turpëruar Shqipërinë, në sytë e afro 25 mijë të huajve nga 80 shtete që gjermë sot kanë blerë me kohë biletat për Kanye West”, shkruan Rama në Facebook.

Sipas kryeministrit, eventi përbën një mundësi me ndikim ekonomik, i cili pretendon se do të sjellë jo më pak se 100 milionë euro të ardhura.

“Nga ky koncert - në kushtet e vështirësuara artificialisht prej dështakzemërakëve - ne llogarisim jo më pak se 100 milionë euro të ardhura. Mjafton të shihet shpërthimi i rezervimeve në booking.com”, vijon Rama.

Kryeministri shkoi më tej duke sulmuar kritikët e këtij financimi, të cilët i ka cilësuar “sorra dhe korba të kanaleve sociale” dhe i ka akuzuar se po manipulojnë opinionin publik duke e paraqitur koncertin si një shpenzim në dëm të sektorëve të tjerë.

“Tani sorrat dhe korbat e kanaleve sociale, janë turrur me një furi glasash duke bërë llogarira perverse prej manipulatorësh të paskrupullt, e duke bërë sikur qajnë hallin e popullit dhe deri edhe të sëmurëve me kancer, që do mbeten pa ilaçe si pasojë e “koncertit privat”, siç e quajnë djallëzisht.  Por mjerë ky popull e mjerë çdo i sëmurë, po të mbeteshin në kthetrat e këtyre zabrahanëve digjitalë, të mbështetur me këtë rast nga duart e armiqve e dashakëqinjve të Shqipërisë, të cilët lëshojnë papushim helm në kanalet sociale përmes dhjetëra mijëra profilesh fallco, duke përfituar nga etja për pushtet dhe kokëboshësia e uzurpatorëve të protestës qytetare”, shkruan Rama.

Të fundit