Flash News

Ditari i Opozitës

Deputetët e VLEN ndalohen në kufi, Bardhi: Sjellje e papranueshme ndaj përfaqësuesve të shqiptarëve të RMV

 Deputetët e VLEN ndalohen në kufi, Bardhi: Sjellje e papranueshme ndaj

Një incident në pikën kufitare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut ka sjellë reagimin e kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.

Ai ka denoncuar ndalimin nga Policia e Shtetit të disa përfaqësuesve politikë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, duke kërkuar transparencë dhe sqarime për rrethanat e ngjarjes.

Sipas Bardhit, mes personave të ndaluar kanë qenë kreu i Grupit Parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku, deputetët Adnan Azizi e Hasim Murtezani, si dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Në reagimin e tij, deputeti demokrat e cilësoi të papranueshëm trajtimin ndaj zyrtarëve nga Maqedonia e Veriut, duke deklaruar se institucionet shqiptare duhet të garantojnë respekt dhe bashkëpunim me përfaqësuesit e shqiptarëve jashtë kufijve.

Bardhi i ka bërë thirrje Policisë së Shtetit që të japë menjëherë një sqarim publik për rastin, ndërsa ka kërkuar që çdo shkelje e mundshme të hetohet dhe personat përgjegjës të mbajnë përgjegjësi.

Reagimi i Bardhit: 

Dënoj me forcën më të madhe sjelljen e Policisë së Shtetit në pikën e kalimit kufitar ndaj disa kolegëve deputetë nga Maqedonia e Veriut, konkretisht ndaj shefit të Grupit Parlamentar të VLEN-it, deputetit Bekim Qoku, deputetëve Adnan Azizi dhe Hasim Murtezani, si dhe ndaj zëvendëssekretarit të përgjithshëm të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Asnjë institucion i shtetit shqiptar nuk ka të drejtë të trajtojë në mënyrë denigruese përfaqësuesit legjitimë të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Veprime të tilla janë të papranueshme, bien ndesh me detyrimet kushtetuese të Republikës së Shqipërisë për të mbrojtur dhe respektuar shqiptarët kudo që jetojnë, si dhe cenojnë frymën e bashkëpunimit dhe të respektit që duhet të karakterizojë marrëdhëniet mes dy vendeve tona.

Kërkoj që Policia e Shtetit të japë menjëherë një sqarim publik dhe transparent për këtë ngjarje. Çdo veprim i kryer në kundërshtim me ligjin duhet të hetohet me seriozitet dhe çdo person përgjegjës duhet të mbajë përgjegjësi, pa asnjë hezitim.

Shqipëria duhet të jetë gjithmonë një shtet që i mirëpret, i respekton dhe i mbron shqiptarët, jo një shtet ku ata ndihen të fyer apo të penguar. Kjo nuk është vetëm një çështje ligjore, por edhe një detyrim kombëtar e moral.

Akte të tilla dëmtojnë imazhin e shtetit shqiptar, cenojnë marrëdhëniet mes shqiptarëve në të dy anët e kufirit dhe nuk duhet të përsëriten më kurrë në të ardhmen.

Të fundit