Flash News

Ditari i Opozitës

Nga Këshilli te Kryesia/ Bozdo tregon axhendën e Kuvendit Kombëtar, ç'do ndodhë me mandatin e ‘Rithemelimit’

Komisioni i Rithemelimit mbledh më 30 Prill Kuvendin Kombëtar. Anëtarët janë shprehur por pjesëmarrjes edhe të deputetëve dikur mbështetës të Lulzim Bashës, me qëllim shmangien e frymës përçarëse.

Anëtari i Komisionit të Rithemelimit Eno Bozdo ka dhënë detaje nga përgatitjet e fundit dhe axhenda e Kuvendit Kombëtar të 30 Prillit. Në një intervistë për Panorama, Bozdo tha se në krye të axhendës qëndron zgjedhja e Këshillit të ri Kombëtar dhe ndryshimet stautore nëse do të ketë.

I vetmi ndryshim që propozohet, sipas Bozdos, është mekanizimi ‘një anëtar, një votë’ në mënyrë që të zvogëlohet posti i kryetarit të partisë dhe të fuqizohej tagri i Këshillit i cili do të ketë 150 individë, ndërsa Kryesia 27-28.

“Axhenda kryesore do jetë zgjedhja e Këshillit të ri Kombëtar dhe ndryshimet statutore, nëse do të ketë të tilla. Unë në fakt nuk pres që të ketë ndryshime thelbësore, sepse statuti i miratuar me afro 5 mijë delegatë në 11 dhjetor të vitit të kaluar është një statut që e futi partinë në rrugë e pastër të demokratizimit të skajshëm, duke i dhënë peshë shumë të madhe votës së përfaqësuesve të partisë. Por mund të ketë propozime për çështjet që statuti i drejton disi.

Propozimi për ndryshim të thelbit është futja e mekanizmit “një anëtar, një votë” në të gjithë mekanizmin vertikal të partisë. Ky është thelbi i statutit. Zvogëlimi i kryetarokracisë dhe rritje e tagrit vendimmarrës të Këshillit Kombëtar dhe kryesisë. Këshilli Kombëtar tani do të ketë 150 individë, ndërsa kryesia do të ketë 27-28 individë. Pra, i kemi kthyer këto institucione në përmasa vendimmarrëse, sepse në përmasat e mëparshme është e paktë të thuash qesharake, por kanë qenë të pamundura për të menaxhuar e jo më për të marrë vendime”, tha Bozdo.

Lidhur me dilemën për drejtimin e PD, Bozdo tha se një mundësi është që ta marrë në dorë Këshilli Kombëtar, ose të propozohet shtyrja e afatit kohor me 30-45 ditë që drejtimin ta ketë ‘Rithemelimi’.

“Një nga opsionet është që drejtimin ta marrë Këshilli Kombëtar. Opsioni i dytë ngelet për t’u diskutuar, është që të ketë një zgjatje që për sa kohë të mbyllen procedurat për zgjedhjen e kryetarit dhe të kryesisë së PD-së, të ketë një zgjatje me një muaj të mandatit të Komisionit të Rithemelimit. Do të shikohet se kush është më e përshtatshme juridikisht. Komisioni i Rithemelimit ka funksionuar si kryesi partie. Nëse do të hapet menjëherë gara për kryesinë e partisë dhe garën për kryesinë e PD-së, duhet një trupë që të ketë përgjegjësinë e shpalljes së garës dhe menaxhimit. Këtë mund ta bëjë Këshilli Kombëtar, por mund ta bëjë edhe Komisioni i Rithemelimit në një hapësire kohore 30- ose 45-ditore deri në zgjedhjen e organeve më të larta të Partisë Demokratike”, shtoi anëtari i grupit të Rithemelimit.

Zgjedhjet për Kryesinë dhe kryetarin e PD, sipas Bozdos, mund të zhvillohen deri në fund të muajit qershor, ndërsa pohoi se në vjeshtë PD do të hyjë në procesin e primareve.

“Unë mendoj që zgjedhja e kryesisë, por edhe e kryetarit, bashkë me fushatën me një kohë të arsyeshme për të bërë fushatë, si procese do të mbyllen maksimalisht deri në fund të qershorit. Në fund të qershorit do të kemi parti funksionale me organe të reja dhe me kryetar. Sepse me ardhjen e vjeshtës, PD do të hyjë në procesin e primareve, përzgjedhjen e kandidatëve për kryetar partie dhe zgjedhjet lokale që do të jenë në prill ose maj të vitit 2023”, shtoi Bozdo.

Të fundit