Flash News

E-TJERA

Nga arratisja me gomone te pengu i madh i dashurisë, Stresi zbulon të pathënat e jetës së tij

Nga arratisja me gomone te pengu i madh i dashurisë, Stresi zbulon të

Reperi i njohur Arkimed Lushaj, i cili njihet gjerësisht nga publiku si Stresi, ka ndarë detaje të papublikuara dhe tejet emocionale nga jeta e tij.

Gjatë një interviste në ‘Elevate’ nga Floriana Garo, artisti udhëtoi pas në kohë, duke nisur nga peripecitë e rënda të fëmijërisë e deri te triumfi në skenë, pa lënë mënjanë as jetën sentimentale.

Një nga episodet më dramatike që ka shenjuar jetën e reperit mbetet viti i mbrapshtë 1997. Asokohe, së bashku me 24 anëtarë të familjes, ata rrezikuan jetën duke udhëtuar me gomone drejt Italisë, për të përfunduar më pas si azilantë politikë në Belgjikë.

 Sipas tij, udhëtimi në det të hapur ishte një përballje e drejtpërdrejtë me vdekjen, ndërsa shpëtimin ia atribuon ndihmës së deputetit Bujar Leskaj.

Pikërisht në Belgjikë, ai u përshtat shpejt me një realitet të ri, mësoi gjuhën frënge dhe mori pseudonimin "Stresi" nga nëna e tij, si pasojë e natyrës së tij tepër energjike dhe rebele.

Pas rikthimit në Shqipëri në vitin 2007, filloi edhe rrugëtimi i tij i vërtetë muzikor, i cili u promovua fillimisht në platforma digjitale si MySpace.

Një pikë kthese në karrierën e tij ishte njohja me kantautorin Flori Mumajesi. Reperi thekson me mirënjohje të thellë se Mumajesi i dha një shtysë të jashtëzakonshme në një moment kritik, duke i ndryshuar rrjedhën e karrierës, ndonëse karakteri i tij i pavarur e bënte të vështirë përshtatjen me rregullat strikte të menaxhimit të atëhershëm.

Lidhur me industrinë e muzikës dhe jetën e luksit që shfaqet shpesh në videoklipe, artisti shton se rreth 80% e këtij realiteti është thjesht virtual dhe shfaqje vizuale, duke mos përfaqësuar jetën e vërtetë të shumë artistëve. Ai pranon se në fillimet e tij edhe ai vetë ka huazuar sende luksi për të krijuar imazhin e duhur për kohën.

Intervista mori një rrjedhë mjaft personale kur u prek tema e dashurisë. Duke folur për ish-partneren e tij, Keisin, ai nuk e fshehu vlerësimin maksimal, duke e cilësuar si një vajzë të pavarur, me vlera të jashtëzakonshme dhe absolutisht të pazëvendësueshme.

Edhe pse pranon gabimet e tij në atë raport, ai e bën të qartë se pavarësisht respektit të pafund që ruan për të dhe familjen e saj, rikthimi është i pamundur.

Ai thekson se vitet kanë kaluar, të dy kanë vijuar jetët e tyre dhe ai e ka mbyllur përfundimisht atë kapitull, megjithëse asnjë vajzë tjetër nuk ka arritur të krahasohet me standardin që ajo la pas.

Të fundit