E-TJERA

Vrasja e policit në Maliq, Hita heq përgjegjësinë nga vetja: Nuk kisha dijeni për operacionin

Vrasja e policit në Maliq, Hita heq përgjegjësinë nga vetja:

Vetëm pasi një efektiv humbi jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë gjatë operacionit për arrestimin e të shumëkërkuarit Violand Braçellari, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, bëri të ditur se nuk kishte pasur dijeni për aksionin, shkruan politiko.al. Kreu i Policisë njoftoi nisjen e një hetimi të brendshëm për mënyrën si u organizua operacioni nga Policia e Korçës, duke pranuar se ndërhyrja u krye pa mbështetjen e forcave speciale RENEA, pavarësisht rrezikshmërisë së lartë të personit që kërkohej prej vitesh.

"Një punonjës policie i dalluar dhe shembullor ndërroi jetë, dhe mbeti i plagosur një tjetër nga punonjësit e policisë. Jam këtu për të ndarë dhimbjen me familjarët e Enea Mekollit, i cili humbi jetën gjatë operacionit. Në orën 7:30 të mëngjesit, forcat policore kanë mbërritur ku strehohej ky person. Ky person ishte i dënuar me 9 vite nga Gjykata e Korçës, ndërsa në vitin 2011 i ishte caktuar masa arrest me burg për kultivimin e lëndëve narkotike.

Për të neutralizuar sulmin e të kërkuarit, punonjësit e policisë kanë shkëmbyer zjarr, ku mbeti i plagosur edhe i kërkuari. Për të ishin caktuar edhe operacione të tjera, por nuk ishte bërë e mundur arrestimi i tij. Kam urdhëruar drejtorinë e Përgjithshme për të nisur një hetim për punën që është bërë për të kapur këtë person. Grupi hetimor po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor. I shpreh ngushëllimet për familjen e Enea Mekollit dhe shërim të shpejtë për kolegun tjetër, Edison Adri.

Ata që sulmojnë punonjësit e policisë, do të ndëshkohen maksimalisht. Gjaku i Eneas nuk do të harrohet kurrë. Kur është kryer operacioni nuk kam pasur dijeni, ky operacion është kryer nga Policia e Korçës. Punonjësit e policisë janë të gjithë të trajnuar, edhe në këtë rast kanë qenë shërbimet më të specializuara siç janë “Shqiponja”. Në gjykimin e drejtuesve të Drejtorisë Korçë, këto kanë qenë strukturat. Kanë qenë 40 forca policie. Të gjithë kanë qenë me jelek antiplumb, por arma kallashnikov që ka përdorur autori e ka çarë edhe antiplumbin. Patjetër që duhet të bëhet më e mira në këtë drejtim," tha Hita.

 

Të fundit