Flash News

Ditari i Opozitës

“Integrimi evropian s’është pronë e qeverisë”, Vokshi denoncon PS: Po përjashtohet opozita, akt kundër BE

“Integrimi evropian s’është pronë e

Nënkryetarja e Partisë Demokratike, njëkohësisht deputetja Albana Vokshi, denoncoi sot mazhorancën socialiste dhe Kuvendin se po bllokon opozitën në gjithëpërfshirje në procesin e integrimit dhe transparencë, sipas dy prej kritereve dhe kushteve themelore të vendosura nga BE ndaj Shqipërisë.

Ajo e quajti akt të qëllimshëm vendimin e Komisionit të Jashtëm në mbledhjen e fundit për të ndërprerë mbledhjen live në momentin që Vokshi kërkoi fjalën për të vënë në dukje faktin alarmant se po refuzohej vënia në dispozicion të opozitës nga Kuvendi të pozicioneve negociuese për dy grupkapituj.

Vokshi e cilësoi akt të qëllimshëm dhe jo procedurial: “Ky nuk është një veprim procedural. Është një akt i qëllimshëm për të shmangur transparencën dhe për të përjashtuar opozitën nga një proces që i përket të gjithë shqiptarëve”.

Deputetja e opozitës nënvizoi se procesi i integrimit kërkon gjithpërfshirje dhe jo përjashtim, pasi nuk është “pronë e qeverisë”.

Ajo shprehet se pikërisht për këtë arsye po mbyllen dyert e transparencës dhe po pengohet kontrolli parlamentar.

Reagimi i plotë i Albana Vokshit:

“Sot kemi përpara një zhvillim alarmant, që nuk prek vetëm opozitën parlamentare, por godet në themel demokracinë, transparencën institucionale dhe vetë procesin e Integrimit Europian të Shqipërisë.

Mazhoranca refuzoi t’i vërë në dispozicion opozitës pozicionet negociuese për Grupkapitujt III dhe VI, duke mohuar në mënyrë të hapur të drejtën kushtetuese dhe ligjore të Kuvendit për të ushtruar kontrollin parlamentar mbi procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Ky nuk është një veprim procedural. Është një akt i qëllimshëm për të shmangur transparencën dhe për të përjashtuar opozitën nga një proces që i përket të gjithë shqiptarëve.

Akoma më shqetësues është fakti se kjo sjellje bie ndesh drejtpërdrejt me parimet që vetë Bashkimi Europian kërkon nga vendet kandidate: gjithëpërfshirje, transparencë, llogaridhënie dhe respekt për institucionet demokratike. Në vend të tyre, po shohim një model qeverisjeje që kufizon informacionin, margjinalizon opozitën dhe dobëson mekanizmat demokratikë të kontrollit.

Një ditë më parë, në Komisionin për Politikën e Jashtme, u përballëm me një akt të papranueshëm dhe pa precedent. Në momentin kur kërkova fjalën për procedurë për të ngritur shqetësimin mbi mosvënien në dispozicion të pozicioneve negociuese dhe mungesën e transparencës, transmetimi live i mbledhjes u ndërpre.

Ky ishte një akt i qartë censure.

Jo vetëm ndaj opozitës, por ndaj qytetarëve shqiptarë që kanë të drejtë të informohen për një proces që përcakton të ardhmen europiane të vendit. Ndërprerja e transmetimit nuk synonte të heshtte një deputet,  synonte të pengonte publikun të dëgjonte të vërtetën.

Integrimi europian nuk është pronë e qeverisë. Nuk është pronë e mazhorancës. Nuk është një proces që mund të administrohet me logjikën e sekretit, të kontrollit politik apo të informacionit të filtruar.

Integrimi europian është projekti më i rëndësishëm strategjik kombëtar i Shqipërisë dhe, pikërisht për këtë arsye, ligji ka përcaktuar qartë rolin e Kuvendit dhe të opozitës në mbikëqyrjen e tij.

Ligji është i qartë. Ministri përgjegjës për negociatat ka detyrimin të paraqesë para Komisionit për Çështjet Europiane pozicionet negociuese të plota. Jo përmbledhje të zgjedhura. Jo informacione të pjesshme. Jo versione të filtruara.

Dje, ky detyrim ligjor u refuzua.

Ky refuzim përbën jo vetëm shkelje të frymës së ligjit, por një përpjekje të hapur për të përjashtuar opozitën nga procesi i integrimit dhe për të asgjësuar mekanizmin e kontrollit parlamentar që garanton transparencën dhe llogaridhënien.

Shtrohen disa pyetje themelore:

Pse kjo mungesë transparence?

Pse ky refuzim për të informuar Kuvendin?

Pse ky këmbëngulje për ta trajtuar integrimin europian si një proces të mbyllur dhe të kontrolluar politikisht?

Përgjigjja është e qartë.

Qeveria nuk dëshiron që qytetarët shqiptarë të mësojnë se çfarë kërkon realisht Bashkimi Europian nga Shqipëria dhe cilat janë problemet që vazhdojnë të mbeten pengesë serioze në rrugën e integrimit.

Ajo nuk dëshiron që të bëhen objekt debati publik problematikat e evidentuara në raportet europiane dhe në procesin e monitorimit: çështjet që lidhen me standardet zgjedhore, korrupsionin, kapjen e institucioneve, respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, pavarësinë e institucioneve, ndërhyrjet në sistemin e drejtësisë dhe mungesën e llogaridhënies në nivelet më të larta të qeverisjes.

Pikërisht për këtë arsye po mbyllen dyert e transparencës dhe po pengohet kontrolli parlamentar.

Ne do të vazhdojmë të kërkojmë zbatimin e ligjit, transparencë të plotë dhe respektimin e rolit kushtetues të Kuvendit. Integrimi europian nuk mund të ndërtohet mbi censurën, përjashtimin dhe fshehjen e informacionit. Ai mund të ndërtohet vetëm mbi demokracinë, transparencën dhe respektin për institucionet”.

Të fundit