Flash News

E-TJERA

Apeli heq apartamentin e Ergys Agasit nga sekuestroja

Apeli heq apartamentin e Ergys Agasit nga sekuestroja

Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi të martën më 2 qershor të rrëzojë një pjesë të kërkimeve të SPAK për sekuestrimet e pasurive të të hetuarve për aferën e AKSHI-t dhe personave e shoqërive të lidhur me ata. Shkalla e Parë pranoi një muaj më parë kërkesën e SPAK për sekuestrimin e pasurive me vlerë mbi 40 milionë euro, në kuadër të procedimit penal kundër ish-drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj dhe biznesmenëve Ergys Agasi e Ermal Beqiraj.

Gjyqtari Florjan Kalaja, disponoi të martën lidhur me kërkesën e kryer nga Karçanaj, Andis Papa, Ermal Beqiri, Arjola Koromani, Xhenila Tamizi, si dhe shoqëritë First sh.p.k., Fortis Beton sh.p.k., Horizon sh.p.k. dhe Soft & Solution sh.p.k., duke urdhëruar heqjen e sekuestrove për disa prej pasurive të bllokuara, që në total arrijnë vlerën e mbi 7 milionë eurove.

Kalaja ndryshoi pjesërisht vendimarrjen e Shkallës së Parë, duke hequr sekuestron për një apartament në emër të Ergys Agasit, i ndodhur në një pallat 10-katësh në Durrës. Është ndryshuar pjesërisht vendimarrja e Shkallës së Parë lidhur me pasuritë e të hetuarit Gëzim Hoxha, duke u rrëzuar kërkesa e SPAK për sekuestrimin e aseteve të shoqërisë First sh.p.k. në shumën 123.6 milionë lekë. Është hequr sekuestroja edhe nga pasuri të të hetuarit Andis Papa, konkretisht të aseteve të subjektit Fastech sh.p.k., në shumën 410.5 milionë lekë dhe  të shoqërisë Fast&Fresh sh.p.k., në shumën 94.4 milionë lekë. Po ashtu, është vendosur heqja e sekuestros nga asetet e shoqërisë Albascan sh.p.k, në shumën 100 milionë lekë, gjysma e kuotave të së cilës zotërohen nga i hetuari Elision Jorgjis.

Apeli ka miratuar pjesën tjetër të vendimarrjes së Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, për pasuritë e sekuestruara në kuadër të hetimit pasuror të kryer ndaj të hetuarve për aferën e AKSHI-t.

Në pasuritë e sekuestruara përfshihen apartamente dhe toka në Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Kavajë, vila dhe prona të mëdha në zonën e Petrelës, automjete luksoze si Land Rover Defender dhe Volksëagen Tiguan, një jaht, si dhe disa subjekte tregtare. Po ashtu janë sekuestruar edhe llogari bankare dhe shuma të konsiderueshme parash në banka dhe kompani private.

Pjesa më e madhe e pasurive rezulton të jetë në emër të biznesmenit Ergys Agasi, i cili zotëron disa prona dhe ndërtesa në zonën e Petrelës, si dhe apartamente dhe prona të tjera në Tiranë, Durrës dhe Vlorë. Ndërkohë, personave të tjerë nën hetim u janë sekuestruar gjithashtu prona të paluajtshme, kompani, automjete dhe shuma të mëdha parash në llogari bankare ose në subjekte tregtare, një pjesë e të cilave u liruan nga Apeli të martën.

Vetëm të hetuarës Mirlinda Karçanaj i janë sekuestruar tre apartamente – dy në Tiranë dhe një në Qerret, si dhe 1500 m² tokë në Sauk, llogari bankare dhe një automjet. Para se të sekuestroheshin pasuritë e Karçanajt, kryeministri Rama e mori në mbrojtje publikisht duke deklaruar se ajo jetonte në shtëpi me qira.

Prokuroria e Posaçme akuzon Ergys Agasin dhe Ermal Beqirajn se krijuan një grup të strukturuar kriminal për manipulimin e tenderëve të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, edhe përmes dhunës dhe pengmarrjes. Agasi dhe Beqiraj i shpëtuan arrestimit, ndërsa ish-drejtoresha e AKSHI-t u vendos fillimit në “arrest shtëpie”, por kjo masë i’u hoq nga Gjykata e Lartë afro një muaj më parë. Reporter.al

Të fundit