Flash News

E-TJERA

Kuvendi mban një minutë heshtje për efektivin e vrarë në Maliq

Kuvendi mban një minutë heshtje për efektivin e vrarë

Seanca plenare e Kuvendit nisi këtë të enjte me një minutë heshtje në nderim të efektivit të Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, i cili humbi jetën gjatë një operacioni për kapjen e një personi në kërkim në zonën e Maliqit.

Deputetët u ngritën në këmbë në shenjë respekti për 34-vjeçarin, i cili u vra gjatë përplasjes me armë që ndodhi në fshatin Podenë. Ngjarja e rëndë ka tronditur opinionin publik dhe ka sjellë reagime nga institucionet më të larta të vendit.

Mekolli, pjesë e forcës “Shqiponja” në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, mbeti viktimë gjatë operacionit për arrestimin e një personi të shpallur në kërkim. Gjatë incidentit u plagos edhe efektivi Edison Adri, i cili po merr trajtim mjekësor.

Me nisjen e seancës, Kuvendi shprehu solidaritet me familjen e efektivit të ndjerë dhe kolegët e tij, ndërsa diskutimet parlamentare vijuan më pas sipas rendit të ditës.

Të fundit