Flash News

Ditari i Opozitës

"Po betonizoni Shqipërinë", Zhupa kërkon interpelancë urgjente me ministrin e Mjedisit

"Po betonizoni Shqipërinë", Zhupa kërkon

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka kundërshtuar mosfutjen në rendin e ditës të kërkesës së saj për një interpelancë urgjente me ministrin e Mjedisit.

Nga foltorja e Kuvendit, Zhupa ngriti shqetësime për projektet që, sipas saj, rrezikojnë zona të rëndësishme natyrore si Zvërneci dhe Narta, duke akuzuar qeverinë se po favorizon ndërtime dhe investime në territore të mbrojtura pa transparencë dhe pa respektuar standardet mjedisore.

Deputetja demokrate përmendi një sërë projektesh të debatueshme, mes tyre ndërhyrjet në zonën e Manastirit të Zvërnecit, koncesionin e Butrintit dhe ndërtimin e aeroportit të Vlorës, duke pretenduar se ato kanë sjellë pasoja për ekosistemet dhe pasuritë natyrore të vendit.

"Një interpelancë urgjente me ministrin e mjedisit, pikërisht për çështjet e zonave të mbrojtura dhe të Zvërnecit. Ky vend ka dhe ministër mjedisi, nuk ka vetëm ministër ndërtimi dhe infrastrukture. Dhe të vijë dhe t'i japë llogari shqiptarëve çfarë projekti është, a mbrohen zonat e mbrojtura, ku e keni ministrin e mjedisit? Pse nuk është futur në rendin e ditës interpelanca urgjente? U mësuat ju kolegë që nuk pyesnit, betonizonit çfarë të donit, bëtë gjirin e manastirit atje kompleks, nuk pyetët që ishte zonë e mbrojtur. Dhatë Butrintin me koncesion, nuk pyetët fare. Bëtë aeroportin e Vlorës në një zonë të mbrojtur, nuk pyetët. Sot doni t'i hyni Nartës me kokë dhe nuk pyesni. Po harruat, harruat që shqiptarët nuk e duan ta tregojnë Shqipërinë si një përrallë me flamingo, të cilat kanë ekzistuar dhe t'ua tregojnë fëmijëve vetëm plastikë edhe nëpër kopshte zoologjike.

Por luftojnë për Shqipërinë. Luftojnë për Shqipërinë dhe sot janë çuar, për një betejë në fakt që unë personalisht e kam nisur që me Butrintin. Partia Demokratike e ka çuar në Gjykatë Kushtetuese ligjin e zonave të mbrojtura 21/2024. Dhe ju zotërinj, për turpin tuaj e keni miratuar. Sot ju kërkon Bashkimi Evropian juve ta hiqni. Ju kam sjellë ligjin, nuk e keni futur as në program. Pse nuk e keni futur në program? Ua kam sjellë që në 14 maj. Është një nga kërkesat e protestuesve. Protestues të ndershëm, shqiptarë. Jo grekë, jo serbë, jo rusë, jo agjentë. Janë shqiptarë ata që iu dhimbset Shqipëria. Se turizmi i qëndrueshëm, nderuar kolegë, shikoni standardet e Bashkimit Evropian, është me mjedis të qëndrueshëm.

Ashtu zhvillohet Shqipëria, duke respektuar mjedisin dhe duke ndërtuar sipas standardeve që kërkon Bashkimi Evropian. Nuk ka turizëm të qëndrueshëm me beton të qëndrueshëm. Nuk ekziston t'i themi fëmijëve që këtu ka qenë një lagunë, këtu ka qenë një liqen, këtu ka qenë një zonë e mbrojtur, tani është vila e këtij, resorti i këtij, pallati i këtij. Kjo është historia që doni t'i tregoni ju shqiptarëve, po në fakt ju sot duhet të tërhiqeni dhe duhet të trembeni. Nga shqiptarët e ndershëm, që protestojnë atje përtej çdo partie, përtej çdo krahu politik, sepse i bashkon një gjë e vetme: Shqipëria, interesi i Shqipërisë. Nuk mund të na thoni ju janë anti-zhvillimit se kërkojnë të respektohet mjedisi, të respektohet ajo që ka ndërtuar natyra në mijëra vjet dhe ju doni ta prishni në 10 ditë. Nuk mund të na thoni që po bënit studim mjedisor me buldozer dhe po mbronit mjedisin me të", deklaroi Zhupa.

Të fundit