Flash News

E-TJERA

Vrasja e policit në Maliq, gjendet kallashnikovi i përdorur nga autori, radio policie dhe dron

Vrasja e policit në Maliq, gjendet kallashnikovi i përdorur nga
Në të majtë Enea Mekolli, në të djathtë Violand Braçellari

Zbardhen detaje të reja nga hetimet për Violand Braçellarin, autorin e dyshuar të sulmit që i mori jetën efektivit të Policisë Enea Mekolli dhe plagosi kolegun e tij Edison Adri në Lozhan të Maliqit.

Gjatë kontrollit në banesën e 43-vjeçarit, policia ka sekuestruar arma automatike kallashnikov, e dyshuar si ajo që u përdor gjatë përplasjes me forcat e policisë. Krahas saj, janë sekuestruar edhe sasi të konsiderueshme municionesh luftarake.

Hetuesit kanë zbuluar gjithashtu radio-komunikimi të ngjashme me ato që përdoren nga strukturat policore, dylbi vëzhgimi dhe disa dronë, të cilët janë dërguar për ekspertizë me qëllim përcaktimin e funksionit dhe përdorimit të tyre.

Sipas burimeve, vetëm një ditë para operacionit fatal, më 3 qershor, Braçellari ishte kallëzuar në polici nga një çoban që kishte rreth dy javë që punonte në stallat e tij. Në denoncim pretendohej se 43-vjeçari e kishte kërcënuar me jetë dhe kishte refuzuar t’i jepte pagesën për punën e kryer.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se Braçellari ka pasur edhe më herët probleme me ligjin. Në vitin 2004, ai ishte paraqitur për shërbimin ushtarak në Forcat e Armatosura, por pas vetëm tre ditësh ishte larguar dhe nuk ishte rikthyer më në repart, çka kishte sjellë hapjen e një procedimi ndaj tij.

Ndërkohë, hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht aktivitetin e 43-vjeçarit dhe rrethanat që çuan në ngjarjen tragjike ku humbi jetën efektivi i “Shqiponjave”, Enea Mekolli.

Të fundit