E-TJERA

Senati amerikan miraton Eric Wendt për postin e ambasadorit të SHBA në Shqipëri

Senati amerikan miraton Eric Wendt për postin e ambasadorit të SHBA

Gjenerali amerikan Eric Wendt ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt emërimit si ambasador i ri i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, pasi kandidatura e tij u miratua nga Komiteti për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit Amerikan.

Propozimi i bërë nga Presidenti amerikan siguroi një mbështetje të gjerë nga të dyja partitë, duke marrë 19 vota pro dhe vetëm 3 kundër. Pas këtij votimi, kandidatura e Wendt do t’i nënshtrohet shqyrtimit dhe votimit përfundimtar në seancën plenare të Senatit, që do të vendosë për konfirmimin e tij zyrtar.

Eric Wendt është një oficer karriere me më shumë se tre dekada përvojë në ushtrinë amerikane dhe konsiderohet një ekspert i çështjeve të sigurisë kombëtare dhe operacioneve speciale. Ai është diplomuar në Universitetin e Kalifornisë në Santa Barbara në fushën e Drejtësisë dhe Shoqërisë, ndërsa më pas ka përfunduar studimet master për Siguri Kombëtare në Shkollën Pasuniversitare Detare në Monterey.

Karriera e tij ushtarake nisi në vitin 1986, ndërsa që prej vitit 1991 ai shërbeu në Forcat Speciale të Ushtrisë Amerikane si pjesë e njësive elitare të njohura si “Beretat e Gjelbra”.

Gjatë viteve të fundit, Wendt ka mbajtur role të rëndësishme në disa prej operacioneve më të njohura ushtarake të SHBA-së, duke shërbyer në rajonin e Paqësorit, në Filipine, Irak dhe Afganistan. Ai ka pasur gjithashtu detyra drejtuese në nivele të ndryshme të Forcave Speciale dhe ka mbajtur poste të larta në strukturat e Pentagonit, përfshirë edhe atë të ndihmësit kryesor ushtarak të Sekretarit të Mbrojtjes.

Nëse konfirmohet nga Senati, Wendt do të pasojë ambasadën amerikane në Tiranë në një periudhë kur bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes mbetet një nga shtyllat kryesore të marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Shqipërisë.

Të fundit