Bota

Andoni Iraola është zyrtarisht trajneri i Liverpool

Andoni Iraola është zyrtarisht trajneri i Liverpool
Liverpooli ka zyrtarizuar emërimin e Andoni Iraolës si trajnerin e ri të skuadrës së “Anfield”. 

Iraola vjen në krye të “Reds” si pasues i Arne Slot, i cili u largua nga drejtimi i ekipit pas dy sezonesh në pankinë dhe ka firmosur një kontratë dyvjeçare me klubin anglez.

Emërimi i tij vjen pas një periudhe të vlerësuar pozitivisht në krye të Bournemouth, ku ai qëndroi për tre vite dhe arriti të shkruajë histori duke e kualifikuar klubin për herë të parë në kompeticionet evropiane.

Sezoni 2025/26 shënoi edhe përfundimin e aventurës së tij në bregdetin jugor të Anglisë, me punën e tij që u vlerësua gjerësisht për rritjen e nivelit dhe konkurrueshmërisë së ekipit në Premier League.

Bournemouth e mbylli kampionatin në vendin e gjashtë, vetëm tre pikë pas Liverpoolit, çka e theksoi edhe më shumë ndikimin e trajnerit spanjoll në elitën e futbollit anglez.

Tashmë, Iraola merr drejtimin e një prej klubeve më të mëdha në Europë, me objektivin për të rikthyer Liverpoolin në garën për trofe dhe për të ndërtuar stabilitet afatgjatë në “Anfield”.

Të fundit