Flash News

E-TJERA

Vrasja e kryekomisarit Artan Cuku/ Prokuroria mbyll hetimet, kërkon burgim të përjetshëm për dy të pandehur

Vrasja e kryekomisarit Artan Cuku/ Prokuroria mbyll hetimet, kërkon burgim

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka përfunduar hetimet për vrasjen e ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, kryekomisar Artan Cuku, ngjarje e ndodhur në vitin 2017. Organi i akuzës ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për dy të pandehurit B.J. (alias B.M.) dhe K.L. (alias G.K.) për veprën penale “Vrasje e punonjësve të Policisë së Shtetit”, kryer në bashkëpunim, si dhe për “Mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve dhe municioneve”, bazuar në nenet 79/b, 25 dhe 278/1 të Kodit Penal.

Sipas hetimeve të Prokurorisë, motivi i krimit ka qenë hakmarrja. B.J., një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe i hetuar më herët për ngjarje të rënda kriminale, dyshohet se ka urdhëruar vrasjen e Cukut, pasi ky i fundit e kishte arrestuar në kohën kur drejtonte Policinë e Vlorës. Për të realizuar atentatin, B.J. është lidhur me K.L. dhe me shtetasin M.Sh., të cilit i është premtuar një shpërblim prej 20 mijë eurosh dhe arratisje drejt Gjermanisë pas kryerjes së krimit.

M.Sh., që realizoi fizikisht ekzekutimin, u ndalua menjëherë pas ngjarjes dhe pranoi autorësinë, duke bashkëpunuar me drejtësinë. Ai u dënua me 10 vjet burg për shkak të marrëveshjes me organet e drejtësisë dhe pendesës së treguar.

Nga provat e grumbulluara rezulton se vrasja është kryer me paramendim dhe me motiv hakmarrjeje e përfitimi. B.J. akuzohet si organizator i krimit, K.L. si ndihmës dhe bashkëpunëtor, ndërsa M.Sh. si ekzekutori.

Prokuroria ka kërkuar që të dy të pandehurit B.J. dhe K.L. të shpallen fajtorë dhe të dënohen me burgim të përjetshëm për rolin e tyre në eliminimin e kryekomisarit Cuku, i cili ishte një nga figurat më të njohura të policisë shqiptare.

Të fundit