Flash News

KRYESORE

Falimenton gazeta sportive: Të paktën nuk i kemi bërë gropën askujt

Pas 23 vitesh në tregun mediatik, “Sport Ekspres” ka njoftuar lexuesit e saj se gazeta nuk do të publikohet më në versionin print, por do të ekzistojën vetëm on-line, ku kryeredaktor do të vijojë të jetë Blerim Jahaj.

Stafi argumenton se shkaqet e falimentimit të medias së rëndësishme sportive lidhen me fuqizimin portaleve dhe reduktimin e sponsorave. “Nga sot (datë 29 qershor 2018), pas 23 vjetësh, gazeta print nuk do të jetë më në treg. Duke parë veprimtarinë ‘online’ që ka pushtuar praktikisht rrjetet sociale, por edhe portalet e ndryshme, por në sajë edhe të tregut print që dita e ditës sa vjen dhe zvogëlohet në sajë të arkëtimeve, për shumë faktorë dhe shkaqe. Ndoshta nuk është një lamtumirë, por thjesht një mirupafshim sa i përket printit!”, thuhet ndër të tjera në njoftimin që ka dhënë stafi.

Lajmi ka prekur edhe shumë lexues të gazetës, të cilët kanë vërshuar me komente në rrjetet sociale, ku disa janë shprehur të keqardhur dhe të tjerë kanë akuzuar se kanë ndikuar në pezullimin e klubit të Skënderbeut nga UEFA.

“Nuk kemi bere kurre gropa ne jeten tone, ASKUJT! Kemi thene vetem te verteten, me realizem, profesionalizem dhe pasion. Nuk kemi aluduar, nuk kemi shpikur, nuk kemi fantazuar. Kemi bere thjesht punen tone, madje shpesh edhe duke sakrifikuar kohen e jetes tone pertej gazetes! Por, ti nuk mund ta kuptosh, nuk do ta kuptosh kurre!”

Disa vite më parë, edhe gazeta sportive më e vjetër në treg, “Sporti Shqiptar” falimentoi për të njëjtat arsye, ndërsa tashmë gazeta e vetme sportive që ka mbetur në treg është “Panorama Sport”.

Të fundit