Flash News

Ditari i Opozitës

1990-2022/ Rastet kur PD u drejtua nga kryetarë të përkohshëm

1990-2022/ Rastet kur PD u drejtua nga kryetarë të

Pas dorëheqjes së Lulzim Bashës, PD po drejtohet nga Enkelejd Alibeaj, kryetar i komanduar, por që nuk e ka marrë votën e Këshillit Kombëtar. Sipas statutit të PD, nenit 46, drejtimin e partisë deri në zgjedhjen e kryetarit të ri e merr njëri nga nënkryetarët e PD.

Por ky nuk është rasti i parë që PD drejtohet nga një kryetar i përkohshëm. Në historinë 32 vjeçare të kësaj partie numërohen tre raste të tilla. Instituti i Studimeve Politike ka sjellë në vëmendje rastet e drejtimit të përkohshëm në PD deri në një Kuvend Kombëtar me legjitimitet për zgjedhje me mandat të plotë.

Rasti i parë 1991: Në dhjetor 1990 u krijua PD me një Komision Nismëtar në krye, drejtues i të cilit ishte Azem Hajdari. Më 14 shkurt 1991, pas debateve të ashpra në Komision dhe mbledhjes së aktivit kombëtar u dakordësua zgjedhja e Sali Berishës si kryetar i përkohshëm i Komisionit Drejtues. Vetëm në shtator 1991 do të zhvillohej Kuvendi i rregullt Kombëtar ku Berisha zgjidhej kryetar me mandat të plotë.

Rasti i dytë 1995: Pas shkarkimit të kryetarit Eduard Selami në konferencën e jashtëzakonshme më 5 mars 1995, drejtimi i PD iu besua ekipit tjetër drejtues në parti, sekretarit të Përgjithshëm Tritan Shehu dhe dy nënkryetarëve. Ky drejtim i përkohshëm zgjati deri në prill 1996, kur në Kuvendin Kombëtar Shehu konkurroi dhe u konfirmua kryetar me mandat të plotë

Rasti i tretë 1997: Një vit pas zgjedhjes kryetar dhe vetëm disa ditë pas humbjes në zgjedhjet parlamentare të vitit 1997, Tritan Shehu dha dorëheqje, duka ia kaluar drejtimin e përkohshëm të PD-së një strukture ad-hoc me 27 – 29 anëtarë, të drejtuar nga Sekretari i Përgjithshëm Genc Pollo. Në shtator u mbajt Kuvendi Kombëtar i radhës ku Berisha u zgjodh kryetar me mandat të plotë.

Gjatë periudhave të ndryshme kohore ka pasur edhe momente të tjera kur vendi i kryetarit ka mbetur vakant dhe me status do të duhej që ushtrimi i funksionit ti kalonte Sekretarit të Përgjithshëm. I tillë është rasti i vitit 2013 kur Berisha dha dorëheqje, por ai formalisht e ushtroi funksionin e kryetarit deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, pavarësisht se këtë përgjegjësi duhej ta ushtronte Sekretari i Përgjithshëm Ridvan Bode. Edhe më 2017 dhe 2021 do të duhej që kryetari Basha, i cili zyrtarisht u tha se ngrinte funksionet e kryetarit në garën zgjedhore në parti, do të duhej të largohej nga selia për t’ia kaluar drejtimin real Sekretarit të Përgjithshëm dhe përmes tij, një prej zv/kryetarëve.

 

Të fundit