Flash News

E-TJERA

'Revolucion', 'Rama dorëhiqu'/ Protestuesit nuk tërhiqen, marshimi vijon prej 4 orësh në rrugët e Tiranës

'Revolucion', 'Rama dorëhiqu'/ Protestuesit nuk

Edhe pas më shumë se katër orësh protestë, mijëra qytetarë vijojnë të qëndrojnë në rrugët e Tiranës, duke refuzuar të shpërndahen dhe duke vazhduar marshimin e tyre nëpër kryeqytet me thirrje për largimin e kryeministrit Edi Rama.

Ora ka kaluar 22:00 dhe energjia e protestuesve duket se nuk është zbehur. Pas grumbullimit para Kryeministrisë dhe marshimeve në disa nga akset kryesore të qytetit, qytetarët vijojnë të lëvizin në grup, duke brohoritur slogane kundër qeverisë dhe duke kërkuar dorëheqjen e kreut të ekzekutivit.

“Rama ik”, “Shqipëri e Re”, “Bashkohuni me ne” dhe “Poshtë korrupsioni” janë disa nga thirrjet që dëgjohen gjatë marshimit, ndërsa pjesëmarrësit e konsiderojnë këtë protestë si një reagim qytetar ndaj korrupsionit, keqqeverisjes dhe gjendjes ekonomike në vend.

Në turmë shihen të rinj, familjarë, pensionistë dhe qytetarë të ardhur nga zona të ndryshme të vendit, të cilët prej orësh po qëndrojnë në këmbë në një nga protestat më të gjata të ditëve të fundit.

Kjo është dita e nëntë e mobilizimit qytetar, ndërsa organizatorët dhe pjesëmarrësit shprehen se protesta nuk do të ndalet derisa kërkesat e tyre të dëgjohen. Edhe në orët e vona të mbrëmjes, rrugët e Tiranës vijojnë të mbushen me qytetarë që marshojnë paqësisht, duke e kthyer kryeqytetin në qendrën e rezistencës qytetare kundër qeverisë.

 

Të fundit