Flash News

E-TJERA

SPAK përfundon hetimet për inceneratorin e Elbasanit

SPAK përfundon hetimet për inceneratorin e Elbasanit

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet për inceneratorin e Elbasanit.

Prokurori i çështjes ka njoftuar këtë të enjte avokatët e të pandehurve, mes tyre të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka dhe Klodian Zotos.

Avokatët kanë kohë deri në 10 ditë për të bërë pretendimet e tyre lidhur me përfundimet e hetimeve dhe më pas dosja i kalon GJKKO-së, ndërsa kjo e fundit vendos kalimin ose jo për gjykim në seancë paraprake.

Për inceneratorin e Elbasanit ndodhet në burg ish-ministri Lefter Koka, ndërsa është dhënë masë sigurie për Pëllumb Abeshin, ish-kryetar i Komisionit për dhënien e inceneratorit,  Bardhyl Çabiri ish-anëtari i Komisionit nga Bashkia e Elbasanit, Etleva Kondi, ish-anëtare e Komisionit për dhënien e koncesionit, Jonida Zeqo ish-anëtare e Komisionit për dhënien e koncesionit, Serafin Papa, ish-anëtar i Komisionit për dhënien e koncesionit.

Në kërkim është shpallur Klodian Zoto dhe Stela Gugallja.

Nga inceneratori i Elbasanit janë sekuestruar pasuritë: 14 apartamente me sipërfaqe banimi në total prej 1356 m²; 3 njësi tregtare me sipërfaqe shfrytëzimi në total prej 297 m²; 1 pasuri të paluajtshme të llojit truall me sipërfaqe 147 m² dhe ndërtesë 126 m² dhe 8 shoqëri tregtare dhe të gjitha asetet në pronësi të shoqërive tregtare.

 

Të fundit