Flash News

Kosova

206 milionë euro për Kosovën nga fondet e BE-së, Kurti zbulon projektet që do të financohen

206 milionë euro për Kosovën nga fondet e BE-së, Kurti

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se Bashkimi Evropian ka miratuar një paketë financimi prej 206.4 milionë eurosh për Kosovën, e cila do të mbështesë projekte strategjike në kuadër të programeve IPA 2026, IPA 2027 dhe Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF).

Sipas Kurtit, më 7 korrik autoritetet evropiane konfirmuan miratimin e projekteve të propozuara nga Kosova në kuadër të programeve IPA, me një vlerë prej 180.5 milionë eurosh. Zbatimi i tyre do të nisë pasi të përfundojnë procedurat e miratimit nga Komisioni Evropian dhe ratifikimit të marrëveshjes financiare në Kuvendin e Kosovës.

Fondet do të shpërndahen në gjashtë sektorë kryesorë: mbrojtjen e mjedisit dhe klimës, energjinë, menaxhimin e kufijve dhe migracionit, arsimin, punësimin dhe konkurrueshmërinë, qeverisjen e mirë dhe procesin e integrimit evropian, si dhe forcimin e sundimit të ligjit.

Kurti bëri të ditur se rreth gjysma e financimit do të përdoret për projekte infrastrukturore, të cilat do të realizohen në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe me bashkëfinancim nga institucionet e Kosovës.

Përveç kësaj, Bashkimi Evropian ka miratuar edhe 25.9 milionë euro në formën e granteve përmes WBIF. Këto fonde do të mbështesin përgatitjen e investimeve në Hidrosistemin Ibër-Lepenc, segmentin e autostradës Qafë e Duhlës–Banullë, si dhe ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Podujevë, projekt që do të zbatohet në partneritet me BERZH.

Në përfundim të reagimit të tij, Kurti falënderoi Bashkimin Evropian për mbështetjen financiare, duke theksuar se investimet do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik, përmirësimin e infrastrukturës dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve të Kosovës.

Të fundit