Flash News

Kosova

Ambasadori amerikan në NATO bisedon me krerët në Kosovë për situatën e sigurisë

Ambasadori amerikan në NATO bisedon me krerët në Kosovë

Ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker, është takuar me udhëheqës të lartë shtetërorë në Kosovë, dhe me atë të misionit të KFOR-it, me të cilët ka biseduar për situatën e sigurisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka biseduar me zyrtarin e lartë amerikan për mbështetjen e SHBA-së për vendin dhe për bashkëpunimin me Forcën e Sigurisë së Kosovës, përmes trajnimeve dhe edukimeve, si dhe “rritjen e kapaciteteve mbrojtëse”.

“Duke folur për situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, kryeministri tha se ajo mbetet e brishtë për shkak se Serbia, e mbështetur nga Rusia dhe Kina, vazhdon të ndjekë politikë hegjemoniste rajonale. Ai foli edhe për armatosjen e fqinjit verior, me theks blerjet e fundit nga Rusia dhe Kina, si kërcënime për stabilitetin afatgjatë rajonal dhe fqinjësinë e mirë në Ballkan”, u tha në njoftimin e lëshuar nga Qeveria e Kosovës.

Së voni, Serbia ka thënë se do të blejë pajisje të reja ushtarake, me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, që ka thënë se situata e sigurisë është komplekse për shkak të “aleancës ushtarake të Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit”.

Kosova, Shqipëria dhe Kroacia kanë nënshkruar vitin e kaluar një deklaratë për thellim të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, që Serbia e sheh si “aleancë kundër serbëve dhe Serbisë”. Të tri shtetet kanë hedhur poshtë vazhdimisht këtë pretendim të Beogradit.

Më herët gjatë së martës, ambasadori Whitaker është takuar me ushtruesen e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu.

Pas takimit në Presidencën e Kosovës, përmes një njoftimi u tha se Whitaker dhe Haxhiu biseduan për zhvillimet politike, sigurinë në rajon dhe rëndësinë e “bashkërendimit të ngushtë mes aleatëve” për t’u përballur me sfidat e kohës.

“Shpreha mirënjohjen time për mbështetjen e palëkundur që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Kosovës ndër vite, si dhe vlerësimin për angazhimin e ambasadorit Whitaker në forcimin e partneritetit tonë strategjik dhe sigurisë në rajon”, tha Haxhiu.

Ambasada amerikane në Prishtinë tha se vizita e zyrtarit amerikan është mundësi për të diskutuar për interesat e përbashkët në fushën e sigurisë.

“Vizita e tij paraqet një mundësi për të diskutuar interesat e përbashkëta të sigurisë dhe rolin e vazhdueshëm të Kosovës në kontributin ndaj prioriteteve rajonale dhe globale të sigurisë së SHBA-së”, shkroi Ambasada amerikane në rrjetet sociale.

Ndërkaq, përfaqësuesi i përhershëm i Shteteve të Bashkuara në NATO, ambasadori Matthew Whitaker, në nisje të vizitës u takua me komandantin e misionit paqeruajtës të aleancës në Kosovë, KFOR, gjeneralmajorin Ozgan Ulutash.

Sipas njoftimit, Ulutash e njoftoi ambasadorin amerikan me situatën e sigurisë në rajon, duke vënë në pah rolin e KFOR-it për “ruajtjen e një mjedisi të sigurt” për të gjithë njerëzit në Kosovë.

“Në këtë drejtim, gjeneralmajori Ulutash shprehu mirënjohjen për kontributin e kamotshëm dhe të çmuar të SHBA-së në misionin e KFOR-it”, tha misioni përmes një njoftimi.

Kosova synon të bëhet pjesë e aleancës ushtarake perëndimore të NATO-s, por në këtë aleancë janë katër shtete që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, teksa Uashingtoni përkrah aspiratën e Kosovës për anëtarësim në aleancë.

Kosova e konsideron si qenësore aleancën me Shtetet e Bashkuara, vend që ka kontribuar në pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.

Aktualisht, Forca e Sigurisë së Kosovës është në proces të shndërrimit në ushtri të plotë, që pritet të përmbyllet më 2028.

SHBA-ja e ka mbështetur nga fillimi shndërrimin e FSK-së në ushtri, por jo edhe NATO-ja, e cila ngul këmbë që FSK-ja t’u përmbahet detyrave të saj fillestare, si: reagimi ndaj krizave apo mbrojtja civile.

Prishtina, gjatë procesit të transformimit të FSK-së në ushtri, po ashtu po pajiset me armatime të reja, përfshirë ato të prodhuara në SHBA. Vendi po ashtu është mikpritës i bazës më të madhe amerikane në Ballkan, Bondsteel.

Po ashtu, Kosova po ashtu do të jetë pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën.

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese është një mekanizëm i krijuar si pjesë e nismës së Bordit të Paqes, i propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, për arritjen e paqes në botë.

Kosova është në mesin e pesë shteteve të para – së bashku me Indonezinë, Marokun, Kazakistanin dhe Shqipërinë – që janë zotuar për angazhim në këtë mision, me qëllim ofrimin e sigurisë dhe mbikëqyrjen e armëpushimit në Rripin e Gazës.

Para vizitës në Kosovë, ambasadori Whitaker qëndroi në Maqedoni të Veriut dhe Kroaci./ REL

Të fundit