Flash News

Kosova

Dëshmia e britanikut John Duncan: Nuk mendoj se Thaçi ishte kryekomandant i UÇK-së

Dëshmia e britanikut John Duncan: Nuk mendoj se Thaçi ishte

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është duke dëshmuar ish-diplomati britanik, John Stewart Duncan, i thirrur nga mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i akuzuar për krime lufte.

Në fund të viteve '90, Duncan ishte këshilltar politik i ish-komandantit suprem të Forcave Aleate të NATO-s, Wesley Clark, i cili udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe, më 1999.

Në fillim të dëshmisë, mbrojtja e pyeti nëse ka mbuluar edhe punën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë veprimtarisë së tij - në çka ai u përgjigj me 'po'.

Ai tha se UÇK-ja - udhëheqës politik i së cilës ishte Thaçi - kishte përbërje heterogjene, "me njerëz me përvoja dhe motive të ndryshme".

"Ne e quanim atë 'ushtria e atyre që nuk kishin asgjë'. Aspiratat e tyre nuk ishin të njëjta. Motivi i tyre nuk ishte i njëjtë".

"Kur filloi të përshkallëzohej spastrimi etnik, përbërja e pjesëtarëve kryesorë ishte shumë e larmishme: kishte ish-ushtarë të Armatës jugosllave, juristë, mjekë, gazetarë dhe njerëz të tjerë, disa me familje të keqtrajtuara. Arsyeja që morën armët, ndryshonte nga personi në person", rrëfeu Duncan.

Ai nënvizoi se UÇK-ja nuk kishte hierarki dhe se fuqinë reale të saj e kishin komandantët e zonave.

"Kjo ishte vështirësia me të cilën përballeshim atje", tha Duncan, sepse "nuk kishin strukturë hierarkike - ishin të organizuar ndryshe".

Sipas tij, udhëheqja politike e UÇK-s, përfshirë edhe Thaçin, shpesh nuk ishte në gjendje t’i bindte ushtarët për vendime të rëndësishme, siç ishte çarmatosja.

Ai tha se roli i Thaçit nuk pasqyronte realitetin politik dhe se nuk kishte legjitimitet të plotë në shoqëri.

"Atje kishte disa forca politike si LDK-ja, zoti Rugova e të tjerë", tha Duncan.

I pyetur nga mbrojtja nëse mendon se Thaçi ishte komandant i përgjithshëm i UÇK-së, ose kryekomandant, ai tha 'jo'.

"...sepse mënyra se si silleshin [komandantët] me të gjatë negociatave, ishte e tillë që ata e trajtonin si krah politik, që kishte një lloj ndikimi, por jo si dikush që kishte kompetenca ushtarake".

"Asnjëherë nuk e kam parë [Thaçin] që të jepte direktiva apo urdhra", tha Duncan.

"Ai nuk ishte shumë i angazhuar, siç pres unë të jetë një politikan profesionist", shtoi ai.

Duncan u pyet edhe për marrëdhënien që kishte Thaçi me komandantin e UÇK-së, Agim Çeku.

"Si pjesëtarë të një ekipi - njëri me çështjet ushtarake, tjetri me çështjet politike. Kjo është mënyra se si e kam parë unë. Nuk kam parë ndonjë lloj respekti të madh, secili i kishte përgjegjësitë e veta", u përgjigj ai./ REL

Të fundit