Flash News

E-TJERA

Eurodeputetët pas vizitës në Shqipëri: Nuk janë protestat që rrezikojnë integrimin, por hapat pas

Eurodeputetët pas vizitës në Shqipëri: Nuk janë

Eurodeputetë që vizituan Shqipërinë kanë ngritur shqetësime për situatën në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, duke kundërshtuar deklaratat e qeverisë se nuk janë dhënë leje ndërtimi dhe duke theksuar se sfidat për procesin e integrimit europian lidhen me respektimin e shtetit ligjor, transparencën dhe mbrojtjen e mjedisit.

Eurodeputetja italiane Christina Guarda deklaroi se gjatë inspektimit në terren pa rrethime, gardhe dhe mjete që mund të përdoren për punime ndërtimore, elemente që, sipas saj, bien në kundërshtim me pretendimet e autoriteteve.

"Kemi dëgjuar nga ministri që nuk është dhënë asnjë leje ndërtimi. Megjithatë pamë gardhe që pengojnë kalimin e qytetarëve dhe mjete që mund të përdoren për ndërtime në zonën e mbrojtur. Kur e diskutuam këtë me ministrin, ai dukej sikur nuk ishte në dijeni të situatës dhe tha se mund të lidhej me testet e nevojshme për vlerësimin mjedisor. Por për kryerjen e testeve nuk është e nevojshme të ngrihen gardhe", u shpreh Guarda.

Ajo kritikoi gjithashtu argumentin se Shqipëria nuk është ende anëtare e Bashkimit Europian, duke kujtuar se Komisioni Europian ka kërkuar tërheqjen nga ndryshimet e debatueshme. Sipas saj, nuk janë protestat qytetare që rrezikojnë rrugën europiane të vendit.

"Kemi parë deklarata se protestat po kërcënojnë anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Nuk janë protestat që e kërcënojnë integrimin, por hapat pas që po ndërmerren", deklaroi eurodeputetja.

Edhe eurodeputeti gjerman Sebastian Everding vlerësoi potencialin natyror të Shqipërisë, por theksoi se zhvillimi ekonomik duhet të ndërtohet mbi parimet e qëndrueshmërisë.

"Shqipëria ka peizazhe dhe pasuri natyrore që përbëjnë një avantazh të madh konkurrues. Ky potencial mund të ruhet vetëm nëse respektohen natyra, shteti ligjor dhe transparenca", tha ai.

Nga ana tjetër, eurodeputeti Fredi Beleri u ndal te protestat e zhvilluara në vend, duke argumentuar se ato burojnë nga shqetësime të brendshme të qytetarëve dhe jo nga ndikime të jashtme.

Sipas Belerit, qytetarët protestojnë për mungesën e transparencës, korrupsionin, keqqeverisjen dhe largimin e të rinjve nga Shqipëria. Ai kritikoi deklaratat e kryeministrit Edi Rama, duke thënë se përpjekjet për t'ua atribuar protestat faktorëve të jashtëm nuk adresojnë problemet reale me të cilat përballet vendi.

"Shumica e njerëzve që dolën në demonstrata protestuan për mungesën e transparencës, korrupsionin, keqqeverisjen dhe largimin e trurit nga vendi. Këto janë shqetësime reale të qytetarëve. Duhet të marrë fund helmimi i shoqërisë", u shpreh Beleri.

Të fundit