Flash News

OPINEWS

Leku është forcuar apo mbivlerësuar?

Leku është forcuar apo mbivlerësuar?

Irena Beqiraj 

“Është zhvlerësuar euro se është forcuar leku”, thotë deputetja socialiste, ekzistenca e së cilës më ra në sy, ngaqë në debat përballë saj ishte një gazetar kalibri si Lutfi Dervishi.
Pyetja që një grua apo burrë që kupton ekonominë sa një student i vitit të dytë të Fakultetit Ekonomik shtron është: A tregon zhvlerësimi i euros, apo forcimi i lekut, siç dëshiron ta quajë deputetja, edhe pse janë ekzaktësisht e njëjta gjë, një vlerësim të drejtë apo një mbivlerësim të lekut në raport me monedhat e huaja?
Në ekonomi ekzistojnë jo një, por dy ekuilibra të kursit të këmbimit.
I pari është ekuilibri “aktual” i kursit të këmbimit, që balancon ofertën dhe kërkesën për monedhë të huaj në tregjet financiare, dhe i dyti është ekuilibri “konkurrues industrial” i kursit të këmbimit, i cili është kursi që siguron konkurrueshmërinë e prodhimit vendas në tregjet kombëtare dhe ndërkombëtare. Në rastin e kursit lek/euro, ai përcaktohet nga krahasimi i produktivitetit të ekonomisë shqiptare me produktivitetin e ekonomisë evropiane.
Ndërsa forcimi i referohet vetëm ndryshimit të kursit aktual, vlerësimi apo mbivlerësimi përcaktohet nga krahasimi i kursit të vendosur në tregjet financiare me kursin konkurrues industrial. Monedha vendase është e vlerësuar drejt kur kursi aktual i këmbimit tenton të jetë në nivelet e kursit që arrihet në ekuilibrin konkurrues industrial.
Ndërsa, kur kursi aktual i këmbimit është më i ulët se vlerat e pranuara të kursit konkurrues industrial, monedha quhet e mbivlerësuar.
Nga analiza ekonometrike e të dhënave të produktivitetit, kursi konkurrues industrial lek/euro duhet të ishte në nivelin 1 euro = 128–134 lekë. Ndërsa sot një euro kushton 93 lekë. Kjo tregon se leku është i mbivlerësuar. Edhe ky nuk është lajm i mirë për ekonominë tonë.
Por pse leku është i mbivlerësuar?
Praktika shumëvjeçare ka treguar se kursi i këmbimit në tregjet financiare, në vendet në zhvillim, varet gjithnjë e më pak nga flukset tregtare dhe gjithnjë e më shumë nga natyra e flukseve të huaja të kapitalit.
P.sh., në vitin 2025, fluksi total i investimeve të huaja direkte arriti në 1.64 miliardë euro, me një rritje prej 3.5% krahasuar me vitin 2024.
Struktura e investimeve të huaja direkte paraqitet si më poshtë:
* 51% e totalit përbëhet nga fitimet e realizuara nga kompanitë ekzistuese dhe të riinvestuara. Thënë ndryshe, 51% vjen si rezultat i zgjerimit të kompanive ekzistuese përmes fitimeve të realizuara në vend.
* 31% përbëhet nga investimet e të huajve në pasuritë e paluajtshme.
* Pjesa e mbetur, rreth 18%, është investuar në sektorë të tjerë, si ndërmjetësimi financiar, bankat dhe energjia.
Megjithëse ky nivel i lartë u paraqit nga socialistët si një arritje e madhe ekonomike, natyra e këtyre investimeve tregon se ato lidhen shumë pak me rritjen e produktivitetit, duke shkaktuar dëme afatgjata.
Për ta thjeshtuar sadopak shpjegimin, po i krahasoj për një moment me investimin që secili prej nesh bën te fëmija. Investimi në edukimin dhe zhvillimin e aftësive të fëmijës krijon mundësinë për formimin e një individi të qëndrueshëm, produktiv dhe të pavarur. Po ashtu, në një ekonomi, kur investimet e huaja direkte rrjedhin në sektorë produktivë, si prodhimi, industria dhe teknologjia e informacionit, ato ndikojnë në rritjen e aftësisë prodhuese të ekonomisë, pasi krijojnë vende pune dhe transferojnë teknologji e njohuri, duke nxitur kështu rritje ekonomike të qëndrueshme.
Ndërsa, kur investojmë më shumë në veshje të shtrenjta, telefona, kufje apo lodra për fëmijën, padyshim që, në një afat të shkurtër, si prindi ashtu edhe fëmija do të ndihen mirë, por rezultati në afat të gjatë mund të jetë “një përtac i llastuar në shtëpi”.
Po ashtu, investimet në ndërtim, turizëm apo blerje të pasurive të paluajtshme nga individët e huaj nuk rrisin produktivitetin e ekonomisë dhe nuk transferojnë teknologji apo njohuri. Pra, kur investimet e huaja bëhen në sektorë ku vendet e punës kanë produktivitet dhe paga të ulëta, apo ku qeveria ofron prona publike dhe lehtësime fiskale, ato e lënë vendin thuajse duarbosh.
A mundet që fëmija juaj t’i zhvillojë aftësitë e tij më shpejt dhe më mirë se moshatarët, kur vetëm 18% e investimit tuaj shkon për rritjen e aftësive të tij dhe 82% për dukjen dhe argëtimin? Pavarësisht shumës së investuar, kur ndarja është e tillë, rezultati dihet.
E pra, a ka nevojë ekonomia shqiptare për më shumë ndërtim, të cilin, për ta zbukuruar dhe për ta shitur si zhvillim, e veshim me kostumin turistik, ndërsa, për ta bërë më shpejt rentabël për investitorin, i shtojmë si “bizhu” kazinotë?
Sa më shumë të mbivlerësohet monedha vendase, aq më i ulët duket borxhi i huaj, aq më i lartë duket prodhimi i brendshëm bruto i shprehur në euro; po ashtu, pagat e shprehura në euro duken më të larta, ndaj edhe pse jetojmë në Shqipëri siç i kujtoi deputetja gazetarit , ministrat i paraqesin të gjitha në Euro . MADJE dhe inflacioni mbahet nën kontroll . Por mosneutralizimi i këtij mbivlerësimi ka efekte të padëshirueshme në strukturën prodhuese dhe, rrjedhimisht, edhe në qëndrueshmërinë e rritjes afatgjatë.
Një monedhë vendase e mbivlerësuar stimulon importet e mallrave të ndërmjetme dhe përfundimtare, duke krijuar probleme të ndërlidhura jo vetëm me përfitueshmërinë e investimeve, por edhe me konkurrencën ndaj prodhimit vendas, edhe rritjen e kostove të jetesës për qytetarin e thjeshtë .
Nga anët e mia ka një shprehje: “Lumi nuk sjell gjithmonë trungje.” Në momentin që flukset hyrëse të kapitalit, nga kanale formale apo edhe informale (të cilat tani janë të pranuara në dosjet e SPAK-ut), do të zvogëlohen dhe “dukja” që shkaktoi mbivlerësimi, të cilit ju i gëzoheni si forcim, nuk do të ekzistojë më, atëherë do ta kuptoni se çfarë dëmi të parikuperueshëm i keni bërë ekonomisë së vendit.
Por atëherë do të jetë shumë vonë !

Të fundit