Flash News

E-TJERA

Goditen pikat e këmbimit valutor pa licencë, sekuestrohen miliona lekë dhe mijëra euro

Goditen pikat e këmbimit valutor pa licencë, sekuestrohen miliona

Një operacion i Policisë së Beratit, i zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë, ka goditur një aktivitet të dyshuar të këmbimit valutor pa licencë që ushtrohej në disa subjekte të transfertave të parave në qark.

Në kuadër të operacionit, janë ekzekutuar 11 masa sigurie. Katër persona janë lënë në masën "Arrest në shtëpi", ndërsa shtatë të tjerë do të hetohen në gjendje të lirë me masën "Detyrim për t'u paraqitur në Policinë Gjyqësore", si dhe me ndalim të daljes jashtë territorit të Shqipërisë.

Sipas hetimeve të Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, aktiviteti i paligjshëm zhvillohej në gjashtë subjekte të transfertave të parave në Berat, Kuçovë, Skrapar dhe Dimal. Këto subjekte, të administruara ose me të punësuar personat nën hetim, dyshohet se kryenin shërbime të këmbimit valutor pa qenë të pajisura me licencën përkatëse.

Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi 8.808.000 lekë, 118.425 euro, 7.390 dollarë amerikanë, 665 paund britanikë dhe 110 franga zvicerane. Po ashtu u sekuestruan 12 telefona celularë, 4 pajisje DVR, 2 USB dhe 1 laptop, të cilat do t'i nënshtrohen ekspertimit në kuadër të hetimeve.

Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Beratit për të zbardhur plotësisht veprimtarinë e dyshuar të paligjshme dhe për të përcaktuar përgjegjësitë penale të personave të përfshirë.

Të fundit