Flash News

E-TJERA

Eurodeputeti belg: Protestat në Shqipëri tregojnë zemërimin ndaj një sistemi që favorizon miliarderët

Eurodeputeti belg: Protestat në Shqipëri tregojnë zemërimin

Eurodeputeti belg Marc Botenga ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në Shqipëri, duke shprehur shqetësim për projektet e planifikuara në zonat e mbrojtura natyrore dhe për ndryshimet ligjore që, sipas tij, mund t'u hapin rrugë këtyre investimeve.

Në një deklaratë publike, Botenga tha se habitatet e mbrojtura, ku jetojnë specie si flamingot rozë, nuk duhet të rrezikohen në emër të projekteve të zhvillimit. Sipas tij, mbrojtja e mjedisit duhet të mbetet prioritet.

Eurodeputeti u ndal edhe te protestat që prej javësh zhvillohen në Tiranë, duke i cilësuar ato si shprehje të pakënaqësisë së qytetarëve ndaj mënyrës së vendimmarrjes.

Sipas Botengas, ndryshimet në legjislacion për të mundësuar zhvillimin e projekteve në zona të mbrojtura janë shqetësuese dhe, sipas tij, janë ndërmarrë pa transparencën e nevojshme.

Ai shprehu gjithashtu kritikë ndaj institucioneve të Bashkimit Evropian, duke thënë se reagimi i tyre ka qenë i vakët, pavarësisht se Shqipëria është vend kandidat për anëtarësim dhe se BE-ja promovon mbrojtjen e mjedisit, shtetin e së drejtës dhe vlerat demokratike.

Në përfundim, Botenga tha se zhvillime të tilla ngrenë pikëpyetje mbi mënyrën se si po ndërthuren procesi i integrimit europian, projektet e mëdha të investimeve dhe respektimi i standardeve për mbrojtjen e natyrës dhe transparencën institucionale.

 

Të fundit