Flash News

E-TJERA

Eurodeputetja franceze i bashkohet protestave në Shqipëri: Mbështetje për "Revolucionin e Flamingove Rozë"

Eurodeputetja franceze i bashkohet protestave në Shqipëri:

Eurodeputetja franceze Emma Fourreau ka njoftuar se është nisur drejt Shqipërisë për t'iu bashkuar protestave qytetare të njohura si "Revolucioni i Flamingove Rozë", duke shprehur mbështetjen e saj për demonstruesit që kundërshtojnë projektin turistik të lidhur me familjen Trump dhe akuzojnë qeverinë për korrupsion.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Fourreau shkruan se prej më shumë se një muaji qytetarët shqiptarë kanë dalë në protestë kundër asaj që e cilëson si një projekt me pasoja të rënda për mjedisin, si dhe kundër korrupsionit të qeverisë së drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

"Po nisem për në Shqipëri për të mbështetur Revolucionin e Flamingove Rozë! Prej më shumë se një muaji, populli shqiptar është ngritur kundër projektit ekocidal të financuar nga familja Trump dhe kundër korrupsionit të qeverisë socialiste të Edi Ramës. Ndal grabitjes së tokave dhe pasurive, mbështetje për shqiptarët që janë në luftë!", shkruan eurodeputetja franceze.

Vizita e Fourreau vjen në një kohë kur protestat kundër projektit të planifikuar në zonën e Zvërnecit dhe Sazanit kanë tërhequr vëmendjen edhe të eurodeputetëve të tjerë, të cilët gjatë ditëve të fundit kanë shprehur shqetësime për mbrojtjen e mjedisit, transparencën dhe respektimin e standardeve europiane në Shqipëri.

Të fundit