Flash News

Kosova

Gjykata e Brukselit dënon me burgim te përjetshëm 3 serbët që vranë Enver Hadrin

Gjykata e Brukselit dënon me burgim te përjetshëm 3 serbët

Gjykata Penale e Brukselit ka dënuar me burgim të përjetshëm tre autorët e vrasjes së veprimtarit të njohur shqiptar, Enver Hadri. Veselin Vukotiq dhe Andrija Draskoviq u shpallën fajtorë për vrasjen e Hadrit, ndërsa Bozhidar Spaciq u dënua për urdhrin e dhënë për kryerjen e atentatit.

Enver Hadri, kryetar i Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë, u ekzekutua më 25 shkurt 1990, teksa ndodhej në makinën e tij në Saint-Gilles të Brukselit. Sipas mediave, ai u qëllua nga një automjet tjetër i afruar pranë tij në një semafor. Plumbi në kokë i mori jetën menjëherë.

Pas një hetimi të gjatë, u konfirmua se atentati ishte një akt politik i urdhëruar nga shërbimet inteligjente të ish-Jugosllavisë, me mbështetjen logjistike të botës së krimit në Beograd.

Gjykata, së bashku me 12 juristët që morën pjesë në çështje, nuk pranoi asnjë rrethanë lehtësuese për të dënuarit, duke vendosur dënimin maksimal – burgim të përjetshëm.

Ekzekutimi i Hadrit shënoi një humbje të madhe për komunitetin shqiptar dhe përpjekjet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë. Ky vendim konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt drejtësisë, ndonëse kanë kaluar 34 vite nga ngjarja tragjike.

Të fundit