Flash News

Rajoni

Tragjedia në Koçan/ Autoritetet nisin mbylljen e objekteve pa leje në Maqedoninë e Veriut

Tragjedia në Koçan/ Autoritetet nisin mbylljen e objekteve pa leje

Pas tragjedisë së rëndë që tronditi Maqedoninë e Veriut, ku 59 persona humbën jetën dhe mbi 150 të tjerë u plagosën në një zjarr shkatërrues në klubin e natës “Pulse” në Koçan, autoritetet kanë nisur mbylljen e objekteve që operojnë pa licencë.

Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e 16 marsit, gjatë një koncerti ku ishin të pranishëm mbi 500 persona. Zjarri shpërtheu papritur pas ndezjes së mjeteve piroteknike, duke u përhapur me shpejtësi dhe duke shkaktuar viktima masive.

Në përgjigje të tragjedisë, qeveria e Maqedonisë së Veriut ka ndërmarrë masa të ashpra për të kontrolluar objektet që operojnë në shkelje të rregullave. Zëdhënësja e qeverisë, Marija Miteva, deklaroi se janë mbyllur një sërë objektesh të hotelerive, përfshirë kabaretë, klubet e natës dhe diskotekat që nuk plotësojnë kriteret e sigurisë.

“Inspektorati Shtetëror i Tregut ka kryer 50 kontrolle në objektet e regjistruara si kabare dhe diskoteka. Nga këto kontrolle rezultoi se vetëm 22 prej tyre kishin licencë të vlefshme, ndërsa 15 të tjera ose nuk kishin fare licencë, ose operonin me licenca të skaduara. Të gjitha objektet pa leje janë mbyllur menjëherë,” tha Miteva.

Sipas autoriteteve, Inspektorati Shtetëror i Tregut do të vazhdojë kontrollet intensive në të gjithë vendin, për të garantuar që të gjitha ambientet e argëtimit të plotësojnë standardet e nevojshme të sigurisë. Ndërkohë, një hetim i gjerë për zbardhjen e shkaqeve dhe përgjegjësive për ngjarjen tragjike po vazhdon.

Për shkak të numrit të madh të viktimave, Maqedonia e Veriut ka shpallur një javë zie kombëtare.

Të fundit