Flash News

KRYESORE

Akuza e Bashës, Anton Martini u transferua në Shkodër më 10 nëntor, Llalla ‘e fshehu’ me rikthimin e Ramadan Trocit

Akuza e Bashës, Anton Martini u transferua në Shkodër më 10

Kryedemokratik Lulzim Basha deklaroi sot se prokurori Anton Martini u emërua drejtues në Prokurorinë e Shkodrës, si përpjekje e kryeministrit Edi Rama për të mbyllur hetimin ndaj kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako.

Sipas Bashës, Martini po hetonte në Prokurorinë e Krimeve të Rënda përfshirjen e Dakos në blerjen e votave në zgjedhjet e 25 qershorit në bashkëpunim me grupet kriminale dhe Rama ka ndikuar te kryeprokurori Adriatik Llalla për largimin e tij.

Më 10 nëntor të këtij viti, Llalla vendosi të ndryshojë pesë drejtues dhe njëri prej tyre ishte Martini. Anton Martini u emëruar drejtues i Prokurorisë së Shkodrës duke zëvendësuar Granit Shahun.

Por kjo lëvizje e kryeprokurit Llalla mbeti në hije pasi vëmendjen mediatike e mori vendimi në të njëjtën ditë për të rikthyer në Tiranë prokurorin Ramadan Troci, i njohur për çështjet e ish-guvernatorit të Bankës, Ardian Fullani dhe ish-kryebashkiakut të Vlorës, Shpëtim Gjika.

Lëvizjet e Anton Martinit:

14 dhjetor 2015 - Nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, Anton Martini transferohet prokuror i thjeshtë në Prokurorinë e Shkodrës. Më 9 qershor 2016-të, BIRN publikoi investigimin ku rezultonte se trafikanti i drogës Jurgen Molla pranonte se kishte paguar 150 mijë euro për transferimin e Martinit. “Këshilli i Prokurorisë vendosi të më transferojë prokuror të thjeshtë, jashtë dëshirës sime,” deklaroi një vit më parë prokurori.

20 dhjetor 2016 – Anton Martini rikthehet prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Në vend të tij, në Shkodër, u dërgua Kosta Biluri.

10 nëntor 2017 – Anton Martini transferohet sërish në Shkodër, por kësaj here në rolin e drejtuesit. Kreu i PD-së, Lulzim Basha e lidh këtë transferim me hetimin që Martini kishte nisur ndaj kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, për blerjen e votave në zgjedhjet e 25 qershorit 2017.

Të fundit