Flash News

Ditari i Opozitës

Berisha: Në PPE kërkova mbështetje ndërkombëtare për protestat qytetare, PD i mbështet plotësisht

Berisha: Në PPE kërkova mbështetje ndërkombëtare

Kreu i PD-së Sali Berisha ka konfirmua edhe njëherë mbështetjen për protestën qytetare që po mbahet në Tiranë prej 10 ditësh, kundër kryeministrit Rama.

Në fjalën e tij para grupit parlamentar, Berisha tha se gjatë konferencës së Partisë Popullore Evropiane të zhvilluar një ditë më parë, kishte denoncuar lidhjen e qeverisë me krimin, korrupsionin dhe farsën zgjedhore.

Berisha deklaroi se kishte kërkuar mbështetje nga ndërkombëtarët për protestën qytetare.

“Në fjalën time u ndala në regjimin autokratik apo diktaturën autoritare të bazuar në farsën zgjedhore, në lidhjet me krimin dhe korrupsionin e madh dhe kartelin e drogës. Sigurisht një rëndësi të veçantë, ose një pjesë të veçantë i kushtova lidhjeve të regjimit me drogën dhe kartelet e drogës, gjë e cila tashmë ka marrë njohuri ndërkombëtare. Por, kryefjala e fjalës time në Sarajevë ishte: Shqipëria në sallën e urgjencës.

Unë paraqita situatën reale në Shqipëri, ku dhjetëra mijëra dhe qindra mijëra qytetarë janë ngritur kundër regjimit. Janë ngritur me kërkesa të drejta: dorëheqjen e Edi Ramës dhe anulimin e atyre ligjeve që janë një shkelje flagrante e ligjeve kushtetuese të vendit dhe direktivave kryesore të Komisionit Europian për mjedisin, për trashëgiminë kulturore, për mbrojtjen e natyrës.

Denoncova me forcën më të madhe qëndrimin e papërgjegjshëm të Edi Ramës ndaj protestuesve dhe kërcënimet, talljet, fyerjet, etiketimet që ai u bën protestës rinore, qytetare më të fuqishme që ka njohur vendi. Kërkova nga drejtuesit e Partisë Popullore dhe të pranishmit, të ushtrojnë të gjithë autoritetin e tyre në mënyrë që kriza e thellë që ka mbërthyer vendin, që tashmë ndodhet në sallën e urgjencës, të zgjidhet në mënyrë paqësore: largimin e Edi Ramës, krijimin e një qeverie teknike për të përgatitur zgjedhjet e reja. Kjo ishte rekomandimi im dhe pati shumë interes edhe gjatë fjalës dhe pas fjalës për situatën në Shqipëri.

Unë kërkova mbështetje ndërkombëtare për këto protesta duke siguruar audiencën dhe bashkëbiseduesit se diktatorët nuk marrin vendime të drejta. Informova audiencën se kjo protestë nuk është e thirrur nga Partia Demokratike, por mbështetet plotësisht nga Partia Demokratike dhe shpjegova arsyet, pra kërkesat janë shumë të drejta ndaj dhe ne qëndrojmë në mbështetje të këtyre kërkesave”, deklaroi Berisha.

Të fundit