E-TJERA

Goditet grup kriminal me rrezikshmëri të lartë në Vlorë, 6 të arrestuar; në pranga autori i plagosjes së Kevi Lazajt

Goditet grup kriminal me rrezikshmëri të lartë në

Një grup kriminal me rrezikshmëri të lartë shoqërore është goditur nga Policia e Vlorës në kuadër të operacionit të koduar zhvilluar mbrëmjen e së hënës në fshatin Vranisht.

Si rezultat i operacionit, kanë përfunduar në pranga gjashtë persona, mes tyre autori i dyshuar i plagosjes së 27-vjeçarit Kevi Lazaj, ngjarje e ndodhur më 7 qershor në Vlorë, si dhe një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane.

Në një lokal në Vranisht u arrestuan në flagrancë Florian Shala alias Florian Alliaj, Neritan Dalipaj alias Neritan Qejvanaj, Miço Beqaraj dhe Aleksandër Dula alias Aleksandër Thomai alias Ilir Dula. Ky i fundit rezulton i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia, pasi Gjykata e Apelit në Lecce e ka dënuar në vitin 2024 me 6 vjet e 8 muaj burg për trafikim të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.

Gjatë operacionit u kapën gjithashtu Turi Aligjoni, i dyshuar si autor i plagosjes së Kevi Lazajt, dhe Dritan Çelaj, të dy në kërkim kombëtar për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje e armëve”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Policia sekuestroi katër armë zjarri pistoleta të markave “Glock”, “Sig Sauer” dhe “Canik”, municion luftarak, shtatë telefona celularë, 1 850 euro si dhe tre automjete, dy prej të cilëve me targa të huaja. Njëri prej mjeteve të sekuestruara ishte i blinduar.

Nga hetimet paraprake ka rezultuar se një automjet tip “BMW X5”, i sekuestruar gjatë operacionit, ishte përdorur nga Turi Aligjoni për t’u larguar nga vendi i ngjarjes pas plagosjes me armë zjarri të Kevi Lazajt.

Të fundit