Flash News

Ditari i Opozitës

Konferenca e PPE, Berisha: Shqipëria në krizë, zgjedhjet janë kthyer në farsë, duhet qeveri kujdestare

Konferenca e PPE, Berisha: Shqipëria në krizë, zgjedhjet

Duke folur për mediat nga Sarajeva ku ndodhet në konferencën e Partisë Popullore Evropiane (PPE), kryetari Partisë Demokratike, Sali Berisha ka artikuluar një qëndrim të fortë kritik ndaj situatës politike në Shqipëri, duke e cilësuar procesin zgjedhor si ‘farsë elektorale’ dhe duke kërkuar krijimin e një qeverie kujdestare për garantimin e zgjedhjeve të lira.

Berisha vlerësoi angazhimin e PPE-së dhe drejtuesve të saj, përfshirë presidentin Manfred Weber dhe sekretaren e përgjithshme, për fokusin e shtuar ndaj Ballkanit Perëndimor dhe procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke theksuar se ky angazhim përbën një kundërpeshë ndaj ‘lodhjes nga zgjerimi’.

Sipas tij, rruga drejt integrimit evropian mbetet e pakontestueshme, por kushti themelor është respektimi i shtetit ligjor, si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar, përmes zbatimit të konventave dhe garancive për të drejtat e qytetarëve dhe minoriteteve.

Berisha deklaroi se Shqipëria po kalon një krizë të thellë institucionale dhe të shtetit ligjor, ndërsa protestat qytetare dhe rinore, sipas tij, janë shprehje e pakënaqësisë së gjerë publike dhe kërkesës për ndryshim politik.

Berisha: Në fjalën time theksova se nga eksperienca që kam patur si kryeministër dhe ajo që ndjek procesin, nuk ka dyshim se e ardhmja më e shkëlqyer e kombeve tona është anëtarësimi i tyre në BE. Por në këtë kontekst, një nga kushtet më themelore, më fundamentale është respektimi i shtetit ligjor në rrafshin kombëtar dhe në rrafshin ndërkombëtar. Duke nënkuptuar në rrafshin kombëtar respektimin e të gjitha të drejtave dhe lirive të qytetarëve, respektimin e institucioneve të pavarura, respektimin e funksionimit të sistemit të drejtësisë, ekonominë funksionale të tregut. Pra, procesi i integrimit në vetvete ka si qëllim madhor të bëjë qytetarët shqiptarë më të lirë, më të begatë, më të sigurt.

Theksova se shteti ligjor duhet të konsiderohet jo vetëm në rrafshin kombëtar, por edhe në rrafshin ndërkombëtar në kuptimin e zbatimit të të gjitha konventave, kartave dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, mbi të cilat bazohen liritë dhe të drejtat e qytetarëve, të minoritarëve dhe procesi i integrimit. Shpreha mendimin se respektimi i këtyre kartave, respektimi i këtyre konventave është kusht themelor që minoritetet të gëzojnë liritë e vërteta në vendet ku jetojnë.

Së dyti, u shpreha se në interesin më të mirë të kombeve tona, disa sherre të së shkuarës duhet të mbyllen ashtu siç i mbyllën dy vendet tona të rajonit, Kroacia dhe Sllovenia dhe që sot janë shembull frymëzimi për ne me progresin e tyre.

Natyrisht, një vend të veçantë dhe interes të veçantë ishte çështja e zhvillimeve në Shqipëri. Theksova se qeveria aktuale ka shndërruar procesin zgjedhor në farsë elektorale, sipas të gjithë dokumenteve ndërkombëtare mbi zgjedhjet. Theksova se lidhjet e saj me krimin janë ‘big Brother-i’ kryesor që ndëshkon shqiptarët. Shqipëria nuk ka një prani të rrezikshme ruse të themi, por Shqipëria ka drogën, e cila është një vendimmarrësi i fuqishëm në të gjitha nivelet dhe se ky vendimmarrës, ky faktor i jep Edi Ramës dhe qeverisë ato privilegje që nuk ia lejojnë ligji, është aktiv në procesin zgjedhor.

Ndaj dhe shtrova pikëpamjen se një qeveri kujdestare për zgjedhje të lira është e domosdoshme dhe u ndala pastaj në krizën që po kalon vendi. Krizë e cila ka në themel shkelmimin e shtetit ligjor në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar. Theksova se protestuesit, rinia dhe qytetarët shqiptarë kërkojnë për të gjitha motivet largimin, dorëheqjen e Edi Ramës dhe se ai po trajton protestën në një mënyrë përçmuese, kërcënuese dhe të padenjë. Garantova se protesta është e pandalshme. Theksova se kjo nuk është një vepër e Partisë Demokratike, por Partia Demokratike e mbështet atë.

Të fundit