Flash News

E-TJERA

Përplasja e Zegjide Çaushit me influenceren, reagon Rozana Radi: Deputetët të japin shembull, jo të bëjnë bullizëm

Përplasja e Zegjide Çaushit me influenceren, reagon Rozana Radi:

Replikat e ashpra në distancë mes deputetes socialiste Zegjine Çaushi dhe influencueses Dea Mishel Hoxha ka sjellë edhe reagime të reja në rrjetet sociale.

Pas ofendimeve që deputetja i drejtoi influenceres ditën e djeshme, ka reaguar edhe këngëtarja e njohur Rozana Radi, e cila i ka dalë publikisht në mbrojtje Dea Mishelit.

Përmes një reagimi në instagram, Radi ka kritikuar gjuhën e përdorur nga deputetja ndaj influencueses nga dhe ka kërkuar që debati publik të zhvillohet mbi argumente dhe jo mbi sulme personale.

Po ju drejtohem jo për të mbrojtur një person të caktuar, por për të mbrojtur një parim që duhet të na përkasë të gjithëve: respektin për dinjitetin njerëzor”, shkruan ajo.

Reagimi i Rozana Radit vjen pasi Zegjine Çaushi iu përgjigj Dea Mishelit me komente fyese në rrjetet sociale, pasi kjo e fundit kishte kritikuar kryeministrin Edi Rama dhe kishte përmendur deputeten si shembull negativ për vajzat e reja.

Sipas këngëtares, një përfaqësuese e Kuvendit duhet të tregojë maturi dhe përgjegjësi më të madhe në komunikimin publik.

“Ju jeni deputete e Kuvendit të Shqipërisë. Pozicioni që mbani kërkon më shumë maturi, më shumë përgjegjësi dhe më shumë shembull. Vajzat e reja që ju ndjekin duhet të shohin tek ju një grua që përballet me kritikat me argumente, jo një figurë publike që përdor fotografi për të vënë në lojë një vajzë tjetër”, shprehet Radi.

Reagimi i Rozana Radit:

E nderuar zonja Zegjine,

Po ju drejtohem jo për të mbrojtur një person të caktuar, por për të mbrojtur një parim që duhet të na përkasë të gjithëve: respektin për dinjitetin njerëzor.

Mund të mos bini dakord me Dea Mishelin. Mund të kundërshtoni mendimet, qëndrimet apo kritikat e saj. Kjo është e drejta juaj. Por kur debati zhvendoset nga argumenti te tallja me pamjen fizike, humbet kuptimin e çdo diskutimi publik.

Ju jeni deputete e Kuvendit të Shqipërisë. Pozicioni që mbani kërkon më shumë maturi, më shumë përgjegjësi dhe më shumë shembull. Vajzat e reja që ju ndjekin duhet të shohin tek ju një grua që përballet me kritikat me argumente, jo një figurë publike që përdor fotografi për të vënë në lojë një vajzë tjetër.

Unë dua të jetoj në një Shqipëri ku gratë nuk i sulmojnë gratë për pamjen e tyre. Në një Shqipëri ku mendimi i lirë nuk ndëshkohet me bullizëm. Në një Shqipëri ku deputetët frymëzojnë qytetari dhe kulturë debati, jo përçmim dhe fyerje.

Sepse dhëmbët, fytyra apo pamja e një vajze nuk janë argument politik. Ato nuk e bëjnë askënd më pak të vlefshëm dhe as më pak të denjë për t’u dëgjuar.

Një demokraci e shëndetshme matet nga mënyra se si trajtohen zërat kritikë, jo nga mënyra se si heshten apo poshtërohen ata.

Me respekt Rozana Radi.

Të fundit