Flash News

KRYESORE

Autografi më i çmuar që kam, ai i Kryepeshkopit Janullatos

Autografi më i çmuar që kam, ai i Kryepeshkopit Janullatos

ÇFARE PO LEXON VASO TOLE

-Libri më i vjetër që keni në bibliotekë…

Nuk di ta them. Biblioteka ime është e përbërë nga kontribute që vijnë që nga stërgjyshi im, Ziso Lupcka, gjyshi Vasil Tole, babai e deri tek unë. Ka pra libra në shqip dhe në gjuhë të huaja, rreth 300 vjet të vjetër, e deri tek më të rinjtë syresh.

-Librat i zgjidhni nga autori apo zhanri?

Nga autori padyshim. Ata janë tharmi i krijimit.

-I keni lexuar të gjithë librat që keni në bibliotekë?

Po. Shumicën prejt tyre edhe i kam rilexuar. Dhe kjo është bukuria e librit në bibliotekë. Libri në bibliotekë është i ngjashëm me objektin muzeor të vendosur në stendat e muzeut. Dhe mua më ndodh gjithmonë si me vizitën në muze, ku objektet janë të njëjtat, janë po ato që ti ke parë herën e fundit kur ke vizituar muzeun. Por jo, në fakt diҫka ka ndryshuar. Rileximi është ndryshimi në kohë mes teje dhe objektit, në këtë rast libri. I sheh ndryshe gjërat, sa herë rilexon një libër. Kjo është magjike!

-Libri i parë që keni lexuar…

Abetarja sigurisht. Ndërsa nuk me kujtohet libri i parë që kam lexuar më vete.

-Libri i parë që keni kursyer për ta blerë…

Ismail Kadare, “Kronikë në gur”. Isha nxënës në shkollën e mesme artistike «Tefta Tashko Koҫo», në Korҫë.

-Me kë i ndanit librat kur ishit gjimnazist apo student?

Me vëllain edhe ai ishte student për piktor në Institutin e Lartë të Arteve, kurse unë studioja për kompozicion.

-A keni patur kartë anëtarësimi në bibliotekën e qytetit?

Po, disa syresh. Në Përmet, në Korҫë dhe në Tiranë.

-A shkonit në Bibliotekë dikur, dhe a vazhdoni ta frekuentoni edhe sot?

Dikur më shumë, e më pak tani. Megjithë trendet e reja të leximit elektronik, biblioteka mbetet tempulli i librit. Do të shkoj aty sa herë që kushtrimi i leximit më thërret. Dhe nuk ndodh rrallë kjo!

-I keni marrë ndonjëherë një mikeshe apo miku një libër dhe nuk ia keni kthyer më? Nëse po, cili është ai libër? 

Janë të shumtë librat që kam huajtur nga të tjerë, dhe me siguri e them se ata libra janë kthyer përsëri në vendin e origjinës së tyre, së bashku me falenderimin tim për miqtë që mi kanë huajtur bujarisht për pak kohë.

-Keni humbur libra që i keni pasur shumë të dashur?

Po. Më mirë mos ma kishe bërë këtë pyetje. Akoma e ndjej mungesën fizike të tyre.

-A lexonit dikur libra të ndaluar? Mund të na përmendni ndonjë titull dhe si i siguronit?

I kam lexuar për të parën herë në Korҫë, në fund të viteve 1970, kohë kur shkoja aty për pushime, tek njerëzit e mi nga ana e babait. Në shtëpinë e tyre kishte me bollëk letërsi vendase dhe botërore të botuar në gjuhën shqipe të viteve 1920-1944. Janë shumë tituj.

-Dhurimin e librave është një rit që e vlerësoni, apo librat preferoni t’i zgjidhnit vetë?

Preferoj t’i zgjedh vetë.

-Cilat janë zakonet tuaja të leximit? Lexoni shtrirë në kurriz, përmbys, në tryezën e punës… ?

Në tavolinën e punës lexoj librat që kanë lidhje me profesionin. Në ҫdo vend tjetër lexoj letërsinë. Pa kufizim vendi. Kudo. P.sh më kujtohet që në shkollën e mesme, lexoja nën dritën e korridorit të konviktit, pasi dritat e dhomave mbylleshin me urdhër në orën 22.00.

-A lexoni në banjë?

Ka pasur raste që po. Mendoj se vendi ku lexon është vetëm tregues fizik, rastësor i leximit, apo komunikimit me librin. Rëndësi ka që  libri të të përpijë të gjithin, kudo ku ti lexon. Ndërkohë duhet që procesi i leximit të kthehet në magji e cila duhet  të zgjasë, të zgjasë sa më shumë. Prandaj mua më duket se kur jam me librin nuk jam fizikisht tek vendi që e lexoj, por në më të shumtën e rasteve jam i superpozicionuar brenda librit, në atë moment leximi. Njësoj si ata që janë në gjendje të transferohen fizikisht në realitete të tjera. Prandaj për mua vendi i leximit ka rëndësi vetëm nëse arrin të të transferojë, fizikisht dhe emocionalisht brenda librit! Qoftë ky vend edhe banja!

-Në çfarë gjuhe tjetër përveç shqipes lexoni?

 Anglisht dhe italisht.

 -Mbani shënime kur lexoni?

Po. Sidomos tek librat për të cilat kam interesa që lidhen me studimin e kulturës, arteve e posaҫërisht të muzikës. Këto libra janë të mbytyr me faqe të kthyera për kujtesë dhe me nënvizime.

-Në letërsi ju tërheq më shumë proza apo poezia? Kur shenjoni një autor që ju pëlqen, lexoni gjithçka të tij/saj?

-Varet nga autori dhe mendimi që sjell. Ҫ’rëndësi kanë mjetet dhe format se si ata shprehen ? Autorët e preferuar i lexoj, kurdo dhe ҫfarëdo që shkruajnë : prozë ose poezi qoftë. P.sh Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin, Fatos Arapin, Bardhyl London, Xhevahir Spahiun, i lexoj njësoj, në prozë e në poezi. Po ashtu Migjenin, Ernest Koliqin, Gjergj Fishtën, Naim Frashërin, Faik Konicën, Fan S. Nolin, Kazanzaqin, Elitisin, Ricosin, Shekspirin, Virgjilin, Danten, Sabaton, Pamukun, Kishin, Molierin, Servantesin etj.

-Cilët janë ata libra apo autorë që ju rekomandoni se duhen lexuar patjetër?

-Homeri i pari!

-A ka një libër që ju e konsideroni si Librin Total?

Po. Bibla!

-Po t’ju thonë se në Arkën e Noes së Librave duhet të shtini 3 libra për t’i shpëtuar nga Apokalipsi cilët do ishin?

Një libër të shenjtë (Biblën dhe Kuranin),” Iliadën” e Homerit si dhe “Vitin e mbrapshtë” të Kadaresë!

-Na thoni një maksimë për librat që e mbani mend ose e përsërisn shpesh…

-“Leximi nuk ta dëmton shëndetin”!

Na thoni një varg të preferuar poezie…

Rreth flamurit të përbashkuar... 

-Cili është personazhi i preferuar i romaneve që keni lexuar?

Në fakt është një personazh polifonik, ose në grup: “Ҫeta e Mokrarëve” nga romani “Viti i Mbrapshtë” i Ismail Kadaresë. Ata në fakt janë disa, ashtu si linjat e këndimit iso-polifonik, ku njeri “Ja merr”, tjetri “Ja pret” ose “Ja hedh” dhe të tjerët bëjnë Iso. Ndër ta përmend Shestan Verdha, Doskë Mokrari, Alush Tabutgjati etj. Yllësi karakteresh, sa shqiptarë aq edhe humanë, në fakt një personazh i vetëm në këtë roman!

-Autografi më i çmuar apo më i çuditshëm që keni në bibliotekën tuaj?

Autografi dhe dedikimi i Kryepiskopit Anastas në librin e Tij “Globalizimi dhe Orthodhoksia”, botim i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Tiranë 2014.

-Çfarë po lexoni?

Veprën e zgjedhur të shkrimtarit, mikut dhe akademikut Luan Starova.

 

 

 

Të fundit