Flash News

Bota

Gjermania e nis vrullshëm Kupën e Botës 2026, mund 7-1 debutuesit e Kurasaos

Gjermania e nis vrullshëm Kupën e Botës 2026, mund 7-1 debutuesit

Gjermania e ka nisur në mënyrën më spektakolare të mundshme rrugëtimin e saj në Kupën e Botës 2026. Të besuarit e Julian Nagelsmann triumfuan me rezultatin e thellë 7-1 ndaj debutuesve të Kurasaos, duke dhënë një sinjal të fortë për rivalët që në ndeshjen e parë të Grupit E.

Sfida e zhvilluar në Houston nisi vrullshëm për gjermanët, të cilët kaluan në avantazh që në minutën e 6-të me Nmecha. Megjithatë, surpriza erdhi në minutën e 21-të, kur Comenencia barazoi shifrat dhe ngriti përkohësisht shpresat e Kurasaos.

Reagimi i Gjermanisë ishte i menjëhershëm. Schlotterbeck riktheu avantazhin me një goditje me kokë në minutën e 38-të, ndërsa Havertz shënoi nga pika e bardhë e penalltisë në fundin e pjesës së parë për rezultatin 3-1.

Pjesa e dytë u kthye në një monolog të “Panzerave”. Musiala realizoi golin e katërt vetëm pak sekonda pas rifillimit të lojës, ndërsa më pas Brown dhe Undav thelluan diferencën. Në minutën e 88-të, Havertz vulosi mbrëmjen e tij me golin e dytë personal dhe të shtatin për Gjermaninë.

Me këtë fitore bindëse, Gjermania merr kreun e Grupit E me tri pikë dhe një golavarazh mbresëlënës. Nga ana tjetër, Kurasao largohet pa pikë, por me kënaqësinë se në debutimin historik në Kupën e Botës arriti të gjejë rrugën e rrjetës ndaj katër herë kampionëve të botës.

 

 

Të fundit