Flash News

KRYESORE

Taulant Kopliku/ Nga Le Iene te shpëtimi i Alvinit në Siri, gazetaria investigative në kufijtë e rrezikut

Taulant Kopliku/ Nga Le Iene te shpëtimi i Alvinit në Siri, gazetaria

Gazetari investigativ Taulant Kopliku, i njohur për punën e tij në emisionin e famshëm italian “Le Iene” dhe së fundmi me “Piranjat” në Shqipëri, ishte i ftuar në podcastin “Pasvon” të Alfred Lelës për të rrëfyer përvojat e tij të jashtëzakonshme, nga shpëtimi i Alvin Berishës në kampet e ISIS deri te sfidat e gazetarisë investigative në vend.

Shkolla e gazetarisë “Le Iene” dhe shpëtimi i Alvinit

Kopliku e përshkruan përvojën e tij shtatëvjeçare te “Le Iene” si “shkolla më e madhe e jetës”. Edhe pse tashmë prej katër vitesh vepron në Shqipëri, ai ruan lidhje të forta me ish-kolegët.

Një nga rastet që e bëri atë të njohur për publikun shqiptar ishte historia e Alvin Berishës, djalit të ngecur në kampet e Sirisë. Këmbëngulja e Koplikut dhe ekipit të tij bëri të mundur kthimin e tij në shtëpi. “Kemi kontakte të vazhdueshme me babain e Alvinit, Afrimin. Ai burrë dhe djali i tij kanë mbetur si një tatuazh në shpirtin tonë,” tregon Kopliku, duke shtuar se Alvini sot bën një jetë normale si çdo adoleshent italian në provincën e Lecco-s.

Sipas tij, ky rast tregoi fuqinë e medias. “Ardhja e Alvinit ishte një shkëndijë që zgjoi një lloj revolte në Shqipëri për fëmijët dhe gratë e mbetura në ato kampe. Filloi të zbulohej numri i tyre dhe, pavarësisht vonesave të autoriteteve, pothuajse të gjithë fëmijët janë kthyer,” thekson ai.

Përballja me realitetin e kampeve siriane

Kopliku rrëfen për dy vizitat e tij në kampet e Sirisë, një përvojë që e përshkruan si shokuese. Ai tregon kontrastin e thellë mes kampit Al-Hol, “kampi i tmerrit”, dhe kampit Roj, i cili shërbente për deradikalizim.

Në Al-Hol, ku ndodheshin rreth 80,000 njerëz, qasja e fëmijëve të indoktrinuar ishte ekstremisht agresive. “Ata fëmijë duhen marrë me urgjencë, sepse çdo javë që kalon aty vetëm sa thellon indoktrinimin e tyre,” shpjegon ai.

“Kameramanin tim e dëmtuan me gurë, ndërsa fëmijët na bënin shenja të prerjes së fytit. Tensioni ishte i vazhdueshëm, pasi qelizat e ISIS ishin gjithmonë rrotull kampit duke tentuar të lironin familjet e tyre.”

Në kampin Roj, situata ishte krejt ndryshe. Fëmijët shqiptarë ishin të qetë dhe të afrueshëm, ndërsa gratë shfaqnin shenja pendese dhe dëshirë për t'u kthyer në normalitet. Ai veçon historinë e Brunilda Koçollarit, e cila, pasi humbi disa bashkëshortë në luftë, arriti të shpëtonte dhe sot bën një jetë normale në Europë.

Gazetaria investigative në Shqipëri: Mes shantazheve dhe presionit

Duke folur për emisionin e tij “Piranjat”, Kopliku prek disa nga sfidat e peizazhit mediatik shqiptar. Ai tregon për largimin e tyre nga ABC News pas shitjes së televizionit, duke e përshkruar bashkëjetesën me drejtuesit e rinj si “të vështirë”, ku kërkohej kontroll mbi çdo temë.

Lidhur me akuzat se emisionet investigative vendosin “gjoba”, Kopliku shprehet: “Është një stereotip i krijuar nga përvojat e kaluara. Ajo që më gëzon është fakti që shumë njerëz gjejnë mbështetje te ne.”

Ai zbulon se 90% e temave vijnë nga sinjalizimet e qytetarëve, por shumë prej tyre bien për shkak se denoncuesit tërhiqen nga frika. “Ka raste kur qytetarët na përdorin për shantazh. Vijnë me dokumente për një borxh dhe i thonë palës tjetër ‘u lidha me Piranjat’. Pasi e zgjidhin, na lajmërojnë se nuk kanë më nevojë.”

Duke u bazuar te filozofia e “Le Iene”, Kopliku beson se gazetarët nuk duhet të viktimizohen për incidente të vogla. “Përplasjet e vogla janë pjesë e punës. Ne duhet të jemi heronj më të heshtur, ndryshe nga praktika aktuale ku për çdo shtyrje mikrofoni bëhet zhurmë e madhe.”

Shkodra dhe identiteti

Në fund të bisedës, Kopliku flet për lidhjen e tij me Shkodrën. Për shprehjen “me qenë shkodran, tanat i ban”, ai thotë me humor: “E kanë bërë të tjerët për ne, por na shkon.” Ai e përshkruan Tiranën thjesht si një vend pune, ndërsa fundjavat i kalon gjithmonë në vendlindje.

I pyetur për kritikat që merr nga bashkëqytetarët për përdorimin e gjuhës standarde në televizion, ai pranon se “shkodranët e masakrojnë”, por e sheh si një detyrim profesional për të qenë i kuptueshëm për të gjithë.

Duke komentuar fjalimin në dialekt të deputetes Mariana Koçeku, ai e sheh si një shenjë pozitive të “ringjalljes së thelbit të Shkodrës”, ndonëse thekson se gjuha standarde mbetet e nevojshme në institucione.

Ndiq intervistën e plotë:

 

Të fundit