Flash News

Ditari i Opozitës

Berisha thirrje shqiptarëve: Mbështesni protestën, është lëvizja më e fuqishme kundër regjimit të Ramës

Berisha thirrje shqiptarëve: Mbështesni protestën,

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje shqiptarëve të mbështesin protestat qytetare që prej ditësh po zhvillohen në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.

Gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët, Berisha e cilësoi këtë si lëvizjen më të jashtëzakonshme rinore dhe qytetare në historinë e Shqipërisë pas rënies së komunizmit, duke e konsideruar atë si përballjen më të fortë me atë që ai e quajti “diktatura autoritare e Edi Ramës”.

Sipas liderit demokrat, protesta e nisur pas ngjarjeve në Zvërnec dhe kundërshtimit të projekteve në zonat e mbrojtura ka tejkaluar tashmë motivet fillestare dhe është shndërruar në një lëvizje të gjerë kundër korrupsionit, varfërisë, emigracionit dhe mënyrës së qeverisjes së vendit.

Berisha akuzoi qeverinë se ka shndërruar zgjedhjet në farsë, ka dëmtuar ekonominë e vendit dhe ka nxitur largimin masiv të të rinjve nga Shqipëria.

Ai deklaroi se rinia shqiptare po ngrihet për të ardhmen e saj dhe për të kundërshtuar, sipas tij, një regjim që nuk u jep mundësi qytetarëve të realizojnë ëndrrat e tyre në vend.

FJALA E PLOTE

Të dashur miq, prej 13 ditësh, Tirana dhe Shqipëria po njohin lëvizjen rinore qytetare më të jashtëzakonshme, më të paprecedent, më madhështore në historinë e tyre.
Kjo lëvizje në thelb, në esencë, e cila filloi për shkaqe dhe ndjeshmëri qoftë të drejtash njeriu, zvarritja e banorit në Zvërnec në mënyrë shtazore, mungesa e plotë e transparencës për çdo gjë, për çdo zhvillim në atë vend dhe telat me gjemba, kjo lëvizje në fakt është lëvizja më e fuqishme që po përballet me diktaturën autoritare të Edi Ramës, narkoshtetin e tij.
Kjo lëvizje që ka në brendinë e vet guximin më të madh të kombit shqiptar, mbartës i të cilit janë të rinjtë shqiptarë.
Ka në brendinë e vet ndërgjegjen më të lartë kombëtare për t’u cliruar nga një regjim autokratik, i cili ka shndërruar zgjedhjet në farsë zgjedhore.
I cili arreston në vitin elektoral krerët e opozitës njëlloj si Zajedi i Tunizisë.
I cili ka shndërruar administratën në terroristë politikë të votës së shqiptarëve.
I cili ka vjedhur me organizatën e tij kriminale miliarda, miliarda euro dhe mund të jetë sot me pasuri përrallore të fshehura.
Mos harroni një gjë se një raport i OSBE deklaroi në vitin 2014 se Edi Rama ka të fshehura në bankat offshore 200 milionë euro, dhe kjo të siguruara të gjitha si kryetar bashkie me leje ndërtimi etj, imagjinoni tani kur ai vendosi në pjatë të gjithë Shqipërinë se sa ka.
Imagjinoni!
Imagjinoni tani se sa merr ai vetëm me Portin e Durrësit, i cili është një pasuri publike e barabartë me 4 miliardë euro dhe e shndërron në Dubai Sitin e 1001 netëve të tij.
Imagjinoni sa ka marrë ai me rrugët që i ndërton me çmime 6 deri 10 fish më të larta se në BE.
Sa ka plaçkitur ai me AKSHI-n e tij, ku projektet disbursohen për kunatin e bashkëshortes 100 përqind kur punimet janë zero ose afër zeros.
Kjo protestë e fuqishme qytetare është protestë e bekuar nga Zoti.
Rinia shqiptare u ngrit për të gjithë vëllezërit, motrat, bashkëmoshatarët e vet që morën rrugët e dheut dhe ëndrrën e tyre rinore, individuale dhe familjare, sepse Shqipëria nuk u jepte strehë për ëndrrën e tyre.
Të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë po protestojnë sot sepse shkollat janë katandisur dhe ka rënie të tmerrshme, të turpshme në pikiatë.
Sepse prindërit e tyre marrin pensionet më qesharake apo rrogat më të ulëta në Evropë.
Sepse spitalet e Shqipërisë janë spitale jo të botës së tretë, por të katërt me mungesat më elementare.
Se tërë këto politika në të vërtetë përbëjnë një gjenocid të mirëfilltë, të heshtur të kësaj qeverie ndaj shqiptarëve.
Duke përfunduar, unë bëj thirrje çdo demokrati dhe demokrateje, çdo zgjedhësi, çdo qytetari që ka votuar dhe voton për PD, por edhe çdo shqiptari që e do këtë vend, që të ka dëshirë të jetojë me dinjitet në këtë vend dhe fëmijët e tij të vazhdojnë ëndrrën e tyre në këtë vend, të mbështesë çdo protestë.
Ata kanë nevojë për mbështetjen e të gjithëve.
Asnjë pretekst nuk ka të drejtë të përdoret për mosmbështetjen e tyre.

Të fundit