Flash News

Ditari i Maxhorancës

Mijëra qytetarë kërkojnë largimin e tij, Rama : Të ndikuar nga dezinformimi

Mijëra qytetarë kërkojnë largimin e tij, Rama : Të
Kryeministri Edi Rama, nga aktiviteti për 35-vjetorin e Partisë Socialiste, ka komentuar protestën e zhvilluar paralelisht në bulevard, ku mijëra qytetarë kërkuan largimin e tij.

Rama e ka lidhur protestën me atë që ai e quajti ndikim nga rrjetet sociale dhe “dezinformim”, duke e konsideruar reagimin qytetar të nxitur nga informacione të shtrembëruara për një investim të madh strategjik në vend.

Sipas tij, protesta ka nisur fillimisht si reagim ndaj një akti dhune, por më pas është shoqëruar me kundërshtime ndaj një projekti me vlerë të madhe ekonomike.

“Një masë e madhe njerëzish të dilte vrullshëm mbi sipërfaqen e kanaleve të internetit… edhe unë po të isha qytetar që informohet nga rrjetet sociale, do kisha dalë në bulevard”, u shpreh Rama, duke iu referuar, sipas tij, mënyrës se si qarkullojnë informacionet në rrjet.

Ai shtoi se investimi në fjalë kap shifra të konsiderueshme dhe, sipas tij, ka ndikim të madh në ekonominë e vendit, ndërsa theksoi se shumë nga perceptimet publike krijohen nga video dhe foto që “nxisin zemërim”.

Deklaratat e kryeministrit vijnë në një moment kur në qendër të Tiranës po zhvillohet një protestë me kërkesën për largimin e qeverisë, duke shënuar një përplasje të fortë mes atmosferës festive të PS dhe pakënaqësisë në rrugë.

Një masë e madhe njerëzish të dilte vrullshëm mbi sipërfaqen e kanaleve të internetit dhe një bashkësi përfaqësuese e saj të merrte në zotërim cdo mbrëmje bulevardin e Tiranës. Protesta nisi me zemërimin e drejtë për një akt dhune dhe me kërkesën e padrejtë për anulimin e një investimi madhor që do të ndikojë ndjeshëm parametrat ekonomikë dhe socialë të Shqipërisë, duke futur të paktën 4 mld euro në një ekonomi në një volum të përgjishshëm prej 27 mld eurosh.

Vetëm ky investim është më shumë se 1/7 e prodhimit të përgjithshëm të vendit tonë dhe dy herë e gjysmë më shumë se sa i gjithë stok i investimeve të huaja në Shqipëri në vitin e shkuar. E vërteta është se edhe unë personalisht po të isha një qytetar që informohet nga rrjetet sociale duke dëgjuar dhe parë turllillojet e gjysmë të vërtetave të fryra cdo minutë në vorbullat e kanaleve të dala me shërbim nga shtrati si dhe lloj lloj videosh dhe fotosh të sajuara për të ushqyer zemërimin.

Pelikanë të ngordhur, flamingo në arrati, rruspa rrafshuese të natyrës, gradacela mbi lagunë dhe Sazan, tabelë kufiri e Izraelit do të kisha dalë në bulevard i llahtarisur nga apokalipsi dixhital. Do të më dukej edhe mua që e keqja e gatuar pas shpinës së popullit ishte aq e tmerrshme sa befas krejt bota u zgjua si nga një ankth dhe u bashkua kanal  më kanal, ekran më ekran dhe kontinent për të shpëtuar atdheun tim të vogël nga një investim shkatëruesh për jetën e gjelvër, dhe varrosës për të ardhmen e Shqipërisë.

Anulimi i një projekti kriminal që u trumbetua me nota ulëritëse, si falje e një toke publike në një zonë të mbrojtur do të më dukej më e pakta gjë që duhej të ndodhte. Këto burimet e energjisë ambientaliste bashkuar me ndjesinë e hidhur të dhunimit nga arroganca e atyre që një pushtet sado të vogël e ushtrojnë duke shpërfillur hallet dhe interesat e njerëzve janë më shumë se të mjaftueshme për të dalë në rrugë por e vërteta se dallimi mes meje dhe kujtdo në atë bashkësi protestuesish që i përket kësaj kategorie nuk është si duket nga bulevardi. Përkundrazi mendoj njësoj për hiret e natyrës shqiptare, rëndësinë e mjedisit dhe jetën e banorëve të tokës.

Që kur kam shkelur në zyrën e parë të shtetit si ministër kulture e deri më sot kam bërë sa kam mundur kundër pislëkut dhe për pastërtinë. Shumë prej atyre që janë në bulevard apo që i mbështesin me rrjete sociale janë të rinj për ta kujtuar Tiranën e 25 viteve më parë kur morëm drejtimin e një kryeqyteti që kishte më shumë pemë të prera se të mbjella. Iu them atyre sot se 90% e pemëve që shohin në Tiranë i keni mbjellë së bashku me disa të tjerë që janë këtu në kohën kur si kryetar bashkie dola nga zyra duke lënë pas 55 mijë rrënjësh pemësh e shurrësh dekorative të mbjella.”, tha Rama.

Të fundit