Flash News

Ditari i Maxhorancës

Ish-ministrja socialiste del kundër linjës së partisë: Duhet reflektim, jo mohim i problemeve

Ish-ministrja socialiste del kundër linjës së partisë: Duhet

Pas kritikave të forta të Petro Koçit ndaj drejtimit të Partisë Socialiste, edhe ish-ministrja dhe ish-deputetja Ermelinda Meksi ka shprehur shqetësime për mënyrën se si ka evoluar PS gjatë viteve të fundit.

Në një reagim me rastin e 35-vjetorit të partisë, Meksi vlerëson se shkrimi i Koçit ngre çështje që meritojnë reflektim, duke përmendur përqendrimin e vendimmarrjes, dobësimin e debatit të brendshëm dhe largimin e figurave me kontribute.

Ajo kujton frymën e PS-së së viteve ’90, të bazuar te pluralizmi i mendimit, demokracia e brendshme dhe përfshirja e intelektualëve, ndërsa thekson se një parti që qëndron gjatë në pushtet duhet të ruajë aftësinë për vetëkorrigjim dhe dëgjimin e zërave kritikë.

 Meksi i bashkohet debatit të hapur nga Petro Koçi, duke kërkuar reflektim për drejtimin që ka marrë Partia Socialiste dhe raportin e saj me vlerat mbi të cilat u ndërtua.

Postimi i plote i Ermelinda Meksi

Në 35-vjetorin e Partisë Socialiste, shkrimi i Petro Koçit  ngre disa çështje që meritojnë reflektim.

Më shumë se debat mes individësh, e lexoj atë si një shqetësim për mënyrën se si ka evoluar Partia Socialiste në raport me frymën e viteve të para të saj.

PS e fillimviteve ’90 u përpoq të fitonte besimin e shoqërisë përmes debatit të ideve, përfshirjes së intelektualëve, demokracisë së brendshme dhe hapjes ndaj mendimit ndryshe. Shumë prej nesh u angazhuam në PS pikërisht për këto vlera.

Për këtë arsye ky shkrim më preku, aq më shumë që me qarkun e Fierit më lidh një nga betejat më të rëndësishme elektorale të jetës sime politike. Në vitin 2009, pas pesë mandatesh si deputete e Tiranës,Partia Socialiste më besoi, së bashku me mallakastriotin Piro Lutaj, një nga sfidat më të vështira elektorale në qarkun e Fierit. Kandidova plot dëshire në Mallakastër, vendlindjen e tim eti, një zonë ku gjithë pushtetii lokal qe i dominuar nga Partia Demokratike. Falë punës së socialistëve dhe mbështetjes së mallakastriotëve kudo që jetonin, arritëm fitoren qe ndryshooi ekuilibrat politikë të zonës.

Kur dëgjoj sot diskutime mbi përqendrimin e vendimmarrjes, dobësimin e debatit të brendshëm apo largimin e figurave me kontribute, mendoj se përgjigjja nuk duhet të jetë mohimi i problemit, por reflektimi mbi të.

Një parti që qëndron gjatë në pushtet përballet natyrshëm me  sfidën e ruajtjes së dinamizmit, pluralizmit te mendimit dhe aftësisë për vetëkorrigjim.

Kjo është çështja më e rëndësishme që ngre ky shkrim, veçanërisht në një moment kur besimi publik dhe aftësia për të dëgjuar zërat kritikë po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme për të ardhmen e PS.

Në këtë përvjetor, u shpreh mirënjohjen të gjithë socialistët që ndërtuan dhe mbështetën Partinë Socialiste në vitet më të vështira te opozites si dhe në ato të qeverisjes.

Gëzuar 35-vjetorin, me urimin që PS të ruajë gjithmonë aftësinë për të dëgjuar, reflektuar dhe rinovuar veten.

Të fundit