Flash News

E-TJERA

Mijëra qytetarë përshkojnë Tiranën në marshim, rikthehen para Kryeministrisë me thirrjen "Rama jepe dorëheqjen"

Mijëra qytetarë përshkojnë Tiranën në marshim,

Protesta e 11-të qytetare kundër qeverisë është shoqëruar mbrëmjen e sotme me një marshim masiv në rrugët kryesore të Tiranës, ku mijëra qytetarë kanë vijuar të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Pas grumbullimit disaorësh në bulevardin përballë Kryeministrisë, protestuesit u shpërndanë në disa prej akseve më të frekuentuara të kryeqytetit, duke e kthyer marshimin në një demonstrim të gjerë qytetar.

Kolona e protestuesve kaloi fillimisht pranë Bashkisë së Tiranës, për të vijuar më tej drejt zonës së “9-Katësheve”, rrugës së Kavajës dhe 21 Dhjetorit. Më pas marshimi u drejtua drejt zonës së “Vasil Shantos” dhe stadiumit “Dinamo”, përpara se pjesëmarrësit të riktheheshin sërish në bulevardin para Kryeministrisë.

Gjatë gjithë itinerarit, qytetarët kanë mbajtur pankarta dhe flamuj kombëtarë, ndërsa kanë përsëritur vazhdimisht thirrjet kundër qeverisë. “Rama jep dorëheqjen”, “Ju erdhi fundi”, “Edi Rama ka mbaru”, ishin disa nga sloganet që dominuan marshimin.

Në përfundim të marshimit, protestuesit u rikthyen para godinës së Kryeministrisë, ku vijuan tubimin dhe përsëritën thirrjen e përnatshme: “Nesër më shumë”, duke paralajmëruar vazhdimin e protestave edhe në ditët në vijim.

 

 

 

Të fundit