Flash News

E-TJERA

Qytetarët ironi me kryeministrin: Të pastrojmë edhe Ramën, por edhe plehrat

Qytetarët ironi me kryeministrin: Të pastrojmë edhe Ramën,

Një lumë qytetarësh mbushi edhe këtë mbrëmje bulevardin dhe rrugët e Tiranës, në ditën e 11-të të protestës kombëtare që kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime të thella politike në vend.

Për disa orë me radhë, protestuesit qëndruan para Kryeministrisë, ku u mbajtën fjalime nga aktivistë, qytetarë dhe figura publike, ndërsa më pas turma nisi marshimin tradicional në rrugët kryesore të kryeqytetit, nën thirrjet “Rama jepe dorëheqjen”, “Ju erdhi fundi”, “Edi Rama ka mbaru” dhe “Çohuni nga kafja”.

Por krahas mesazheve politike, nga protesta e sotme erdhi edhe një apel i veçantë për qytetari dhe përgjegjësi publike.

Nga podiumi, organizatorët u kërkuan pjesëmarrësve që të mos largoheshin pa pastruar zonën ku ishin grumbulluar, duke mbledhur mbeturinat e krijuara gjatë tubimit.

“Ju lutem pastroni vendin”, ishte mesazhi që u përsërit disa herë në fund të protestës, ndërsa qytetarët u ftuan të linin pas një shesh të pastër dhe të respektuar.

Një prej protestuesve e shoqëroi apelin me një mesazh simbolik që u prit me duartrokitje nga turma:

Ju lutem pastroni vendin! Ne nuk do të pastrojmë vetëm Ramën nga ky vend, por edhe plehrat.”

Pas këtij momenti, mijëra qytetarë vijuan marshimin në rrugët e Tiranës, duke dëshmuar se protesta po ruan jo vetëm intensitetin e saj politik, por edhe përpjekjen për të përcjellë një model të organizimit qytetar dhe respektit ndaj hapësirës publike.

Të fundit