Flash News

E-TJERA

Detaje të reja nga zhdukja e 34-vjeçarit, policia zhvendos kërkimet për trupin në Pëllumbas dhe Qafëmollë

Detaje të reja nga zhdukja e 34-vjeçarit, policia zhvendos

Hetimet për zbardhjen e fatit të 34-vjeçarit Eglant Koçi vijojnë intensivisht, ndërsa policia ka zgjeruar kërkimet në disa zona të qarkut të Tiranës, ku dyshohet se mund të gjenden gjurmë që lidhen me ngjarjen.

Pas kontrolleve të zhvilluara në Krrabë, Elbasan dhe Librazhd, grupet e kërkimit janë fokusuar tashmë në zonën e Qafëmollës dhe Pëllumbasit, siç raporton A2 CNN. Sipas burimeve policore, këto janë zona që dyshohet se njiheshin mirë dhe frekuentoheshin shpesh nga 41-vjeçari Armand Shakaj, i identifikuar nga autoritetet si autori i dyshuar i krimit.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se ekzistojnë dyshime që automjeti i Shakajt të jetë parë në zonën e Pëllumbasit pas ngjarjes, çka ka shtyrë policinë të intensifikojë kontrollet në këtë territor. Paralelisht me kërkimet për gjetjen e trupit të 34-vjeçarit, vijojnë edhe përpjekjet për lokalizimin dhe arrestimin e 41-vjeçarit.

Armand Shakaj u vu në fokus të hetimeve që në ditët e para pas denoncimit të zhdukjes së Eglant Koçit nga familjarët. Ai ishte ndër personat e parë që u shoqërua dhe u mor në pyetje nga policia.

Sipas të dhënave hetimore, nga verifikimi i tabulateve telefonike rezultoi se personi i fundit me të cilin Koçi kishte komunikuar në telefon ishte pikërisht Shakaj. I pyetur nga efektivët e Komisariatit nr. 2, 41-vjeçari ka deklaruar se nuk kishte dijeni për vendndodhjen e Koçit dhe se edhe ai vetë ishte i shqetësuar për zhdukjen e tij.

Burimet bëjnë me dije se pas daljes nga komisariati, Shakaj është përballur me familjarë dhe të afërm të 34-vjeçarit, të cilëve u ka thënë se ishte i shqetësuar për mungesën e tij dhe se, nëse do ta gjenin, t’i kërkonin ta telefononte.

Të fundit