Flash News

Ditari i Opozitës

Berisha nga Kuvendi: Plotësoni kërkesat e protestuesve, ndryshe do të jetë vonë për Shqipërinë

Berisha nga Kuvendi: Plotësoni kërkesat e protestuesve, ndryshe do

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar nga foltorja e Kuvendit lidhur me protestat që po zhvillohen prej 11 ditësh në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit, duke kërkuar që Parlamenti të trajtojë me urgjencë kërkesat e protestuesve.

Berisha i cilësoi protestat si një lëvizje masive dhe paqësore të të rinjve shqiptarë, të cilët sipas tij po kërkojnë mbrojtjen e mjedisit, trashëgimisë kombëtare dhe të ardhmes së vendit.

Nga salla e Kuvendit, kreu demokrat kërkoi zhvillimin urgjent të një mocioni me debat dhe ndryshimin e axhendës parlamentare për t’i dhënë përparësi kërkesave të protestuesve, të cilat i konsideroi plotësisht legjitime.

“Dëgjimi i zërit të tyre është domosdoshmëri absolute. Përndryshe do të jetë vonë dhe do të jetë një gabim i madh historik”, deklaroi Berisha.

Ai akuzoi kryeministrin për përqendrim të pushtetit dhe u bëri thirrje drejtuesve të Kuvendit që të distancohen nga qeveria dhe të fokusojnë punimet parlamentare te kërkesat e qytetarëve që po protestojnë në mbarë vendin

DEKLARATA E PLOTE

Sot, shqiptarët në Shqipëri, shqiptarët në të katër anët e rajonit dhe të botës, kudo që ndodhen, presin nga ky parlament përgjigje të menjëhershme të kërkesave të dhjetëra mijëra dhe qindra mijëra të rinjve dhe të rejave shqiptarë, që prej 12 ditësh janë në një protestë epike, paqësore, me një seri kërkesash absolutisht të drejta, me të cilat nuk synojnë gjë tjetër veçse të shpëtojnë Shqipërinë nga një njeri, që konsideron shtetin dhe vendin si pronë të tij personale.
Të shpëtojnë mjedisin shqiptar të mrekullueshëm nga natyra që po shkatërrohet në të katër anët e tij.
Të shpëtojnë trashëgiminë shekullore të kombit që po pëson sulme barbare nga oligarkët, klanet dhe lobingjet e afërta të Edi Ramës.
Ndaj dhe t’i lëmë mënjanë, ata janë qytetarë shqiptarë, janë para së gjithash të rinj shqiptarë, të cilët në protestën e tyre, me një gjë janë 100 përqind të sinqertë, duan që ëndrrën ta vendosin në këtë vend.
Duan që me ëndrrën e tyre të bëjnë Shqipërinë.
Ndaj dhe të mos merremi me asgjë tjetër, të merremi me plotësimin e kërkesave të tyre.
Kërkoj urgjentisht mocion me debat me kreun tuaj.
Kërkoj urgjentisht që parlamentit të ketë në axhendë të vetmen çështje, kërkesat që janë absolutisht legjitime pasi të gjitha ligjet që keni ndryshuar janë antikushtetuese.
Dëgjimi i zërit të tyre është domosdoshmëri absolute, përndryshe do të jetë vonë dhe do jetë një gabim i madh historik që bëhet.
Ndaj zoti kryetar, ushtro të gjithë autoritetin, distancohuni nga Edi Rama dhe ktheni axhendën e parlamentit.

Të fundit