Flash News

Bota

Messi, Maradona apo Pele? Renditja e 10 legjendave më të mira të Kupës së Botës

Messi, Maradona apo Pele? Renditja e 10 legjendave më të mira të

Përzgjedhja e 10 futbollistëve më të mëdhenj në historinë e Kupës së Botës është një mision i vështirë, duke marrë parasysh mijëra lojtarë që kanë marrë pjesë në 22 edicione të turneut më prestigjioz të futbollit. BBC Sport ka renditur figurat që kanë lënë gjurmën më të thellë në këtë kompeticion, duke përfshirë emra legjendarë si Pele, Maradona, Ronaldo dhe Messi.

10. Sir Geoff Hurst (Angli)
Heroi i finales së vitit 1966, Hurst mbetet lojtari i vetëm që ka shënuar një tripletë në një finale të Kupës së Botës. Ai udhëhoqi Anglinë drejt titullit të vetëm botëror në historinë e saj, në Wembley.

9. Cafu (Brazil)
Mbrojtësi legjendar brazilian është i vetmi futbollist që ka luajtur në tri finale radhazi të Kupës së Botës (1994, 1998 dhe 2002). Ai fitoi dy trofe dhe u bë simbol i qëndrueshmërisë dhe suksesit të Brazilit.

8. Paolo Rossi (Itali)
Heroi i Italisë në Botërorin e vitit 1982. Pas rikthimit nga një pezullim dyvjeçar, Rossi realizoi gjashtë gola, fitoi Këpucën e Artë dhe Topin e Artë të turneut, duke udhëhequr Italinë drejt titullit.

7. Zinedine Zidane (Francë)
Arkitekti i triumfit francez në vitin 1998. Zidane shkëlqeu në finalen ndaj Brazilit me dy gola me kokë dhe u kthye në simbolin e një Francë multikulturore. Ai do të mbahet mend gjithashtu për episodin e famshëm me Materazzin në finalen e vitit 2006.

6. Kylian Mbappe (Francë)
Edhe pse ende në kulmin e karrierës, Mbappe ka hyrë tashmë në historinë e Kupës së Botës. Kampion bote në vitin 2018 dhe autor i një triplete në finalen e vitit 2022 kundër Argjentinës, ai konsiderohet si një nga figurat më të mëdha të turneut.

5. Franz Beckenbauer (Gjermani Perëndimore)
“Der Kaiser” fitoi Kupën e Botës si lojtar në vitin 1974 dhe si trajner në vitin 1990. Ai revolucionarizoi rolin e mbrojtësit dhe mbetet një nga figurat më të respektuara të futbollit botëror.

4. Lionel Messi (Argjentinë)
Pas shumë përpjekjesh, Messi realizoi ëndrrën e madhe në Katar 2022. Me paraqitje të shkëlqyera gjatë gjithë turneut dhe dy gola në finalen ndaj Francës, ai udhëhoqi Argjentinën drejt titullit të tretë botëror.

3. Ronaldo (Brazil)
“Fenomeni” brazilian përjetoi momente të vështira dhe rikthime spektakolare. Pas dramës së finales së vitit 1998 dhe dëmtimeve të rënda, ai u rikthye fuqishëm në vitin 2002 duke shënuar tetë gola dhe duke fituar Kupën e Botës.

2. Diego Maradona (Argjentinë)
Botërori i vitit 1986 konsiderohet nga shumë si performanca më e madhe individuale në historinë e futbollit. Maradona shkroi histori me golin e famshëm “Dora e Zotit” dhe me një nga golat më të bukur të të gjitha kohërave kundër Anglisë.

1. Pele (Brazil)
Në vendin e parë renditet legjenda e madhe braziliane. Pele është futbollisti i vetëm që ka fituar tri Kupa Bote (1958, 1962 dhe 1970). Ai shpërtheu në skenën botërore vetëm 17 vjeç dhe mbetet simboli më i madh i historisë së këtij kompeticioni.

Sipas BBC-së, askush nuk e mishëron më shumë frymën dhe madhështinë e Kupës së Botës sesa Pele, i cili vazhdon të konsiderohet legjenda absolute e turneut më të madh të futbollit.

Të fundit