Flash News

Bota

Greqia paralizohet nga greva mbarëkombëtare, punëtorët kërkojnë rritje pagash

Greqia paralizohet nga greva mbarëkombëtare, punëtorët

Athina, Selaniku dhe qytetet e tjera të Greqisë janë paralizuar që prej mëngjesit të sotëm, si pasojë e një greve mbarëkombëtare 24-orëshe të thirrur nga Konfederata e Përgjithshme e Sektorit Privat (GSEE) dhe ajo e administratës publike (ADEDY).

Greva ka përfshirë gjerësisht federatat, sindikatat dhe shoqatat nga sektori privat dhe publik, të cilat kërkojnë rritje pagash, rikthimin e pagës së 13-të dhe të 14-të, si dhe rivendosjen e kontratës kolektive të punës.

Pjesëmarrësit gjithashtu protestojnë kundër rritjes së çmimeve, inflacionit dhe krizës së strehimit që ka prekur shtresat më të gjera të popullsisë.

Transporti publik është pezulluar pothuajse plotësisht. Anijet do të qëndrojnë të ankoruara në porte, ndërsa është njoftuar anulimi i thuajse të gjitha fluturimeve nga aeroportet greke – përfshirë edhe ato drejt dhe nga Shqipëria. Autoritetet kanë sqaruar se do të lejohen vetëm fluturimet e domosdoshme.

Greva ka përfshirë gjithashtu mësues, pedagogë dhe studentë, të cilët kanë dalë në protesta për nivelin e arsimit, pasigurinë ekonomike të shkollave dhe kundërshtimin ndaj privatizimit të universiteteve.

Sipas autoriteteve greke, deri në këto momente janë arrestuar 6 persona në lidhje me protestat.

Të fundit