Flash News

KRYESORE

Cakaj vizitë Podgoricë, i kërkon Gjukanoviçit thellimin e marrëdhënieve tregtare

Në kuadër të vizitës në Mal te Zi, Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj, zhvilloi një takim me Presidentin e Malit të Zi, Milo Djukanovic.

“Shqipëria vlerëson kontributin e  Presidentit Djukanovic në rrugëtimin euro-atlantik të Malit të Zi, çka njëkohësisht përfaqëson edhe kontribut për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Vizita në Podgoricë është moment i rëndësishëm për të dhenë një mesazh të përbashkët për domosdoshmërinë e  çeljes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut"–  u shpreh Cakaj.

Kryediplomati shqiptar vlerësoi arritjet në rrafshin e bashkëpunimit dypalësh me Malin e Zi si një model për forcimin e ndërveprimit rajonal, dhe u ndal mbi rolin thelbësor të shqiptarëve në vendin fqinj, duke i konsideruar ata si përcaktues  në përparimin euro-atlantik të Malit të Zi.

Theks të veçantë gjatë vizitës së tij Ministri në Detyrë Cakaj vuri edhe në thellimin e marrëdhënieve tregtare të cilat do të kenë një vëmendje të posaçme në mbledhjen e ardhshme të dy qeverive, sikundër dhe zbatimi i angazhimeve të ndërmarra në kuadër të zhvillimit ekonomik të brezit ndërkufitar.

Gjatë vizitës së tij në Podgoricë, Cakaj zhvilloi një takim me Kryenegociatorin e Malit të Zi me Bashkimin Evropian, Aleksandar Drljevic, si dhe me Zv.Kryetarin e Parlamentit, Genc Nimanbegu.

Në kuadër të një diplomacie parlamentare pro-aktive, në takim u theksua roli dhe kontributi i Grupeve Parlamentare respektive të Miqësisë, si një vlerë e shtuar në marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve.

Gjatë takimit bashkëbiseduesit ndanë të njëjtat vlerësime për diplomacinë parlamentare e cila merr një rol të rëndësishëm në kuadër të proceseve integruese rajonale, por edhe atë në kuadër të NATO-s dhe integrimit në BE. Ata theksuan se, roli i tyre mbetet i rëndësishëm në kuadër të strategjive rajonale të zhvillimit.

Takimi me homologun Srdan Darmanovic

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj, gjatë vizitës së tij në Malin e Zi, pjesë e vizitave të tij në vendet e rajonit, zhvilloi një takim me homologun malazez, Srdan Darmanovic.

Gjatë takimit u vlerësua niveli shumë i mirë i bashkëpunimit politik, si dhe u diskutua për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe në kuadër të mekanizmit të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive dhe angazhimeve të ndërmarra në kuadër të bashkëpunimit rajonal, si projektet e përbashkëta ndërkufitare, masat për Zonën Ekonomike Rajonale, si dhe përfundimin e korridoreve infrastrukturore, të energjisë dhe infrastrukturës.

“Bashkëpunimi ekonomik dhe shkëmbimet tregtare”, theksuan bashkëbiseduesit “duhet të pasqyrojnë dhe të ndjekin tendencat e bashkëpunimit politik midis dy vendeve”.

Kryediplomati shqiptar, nënvizoi rolin konstruktiv, moderues dhe aktiv të faktorit politik shqiptar në Malin e Zi, si në proceset integruese euro-atlantike, ashtu edhe në jetën politike dhe shoqërore të vendit. Po ashtu, bashkëbiseduesit diskutuan mbi fuqizimin e zhvillimin ekonomik në zonat ku jetojnë shqiptarët, veçanërisht ato ndërkufitare, për përfaqësimin më të mirë të shqiptarëve në institucionet qendrore e lokale, si dhe për masat në drejtim të arsimimit dhe ruajtjes së identitetit të tyre.

“Ne kemi mbështetur koalicionin e partive shqiptare në Tuz dhe jemi jashtëzakonisht të lumtur për fitoren e tyre. Qasja jonë është natyrshëm ajo e kujdesit për shqiptarët dhe në këtë kuadër diskutuam edhe me Ministrin se është e nevojshme që bashkëpunimin e shkëlqyeshëm ndërshtetëror ta përkthejmë në një bashkëpunim në një frymë gjithnjë më pozitive në nivel ndër-komunitar. Do të takohemi sot edhe me partitë shqiptare, me këtë rast do të ofrojmë gatishmërinë e plotë për bashkëpunimin tonë dhe konsiderojmë që fitorja e tyre ka qenë skajshmërish e merituar dhe mbase është një shembull inkurajues për domosdoshmërinë e ndërtimit të unitetit të faktorit shqiptar.” – tha Ministri në Detyrë Cakaj në fjalën e tij në konferencë për shtyp me Ministrin e Jashtëm, Srdan Darmanovic, menjëherë pas takimit dypalësh.

Kryediplomati shqiptar vlerësoi bashkëpunimin me Malin e Zi në kuadër të organizatave ndërkombëtare dhe posaçërisht mbështetjen e Malit të Zi për marrjen e Kryesisë së OSBE-së nga Shqipëria në vitin 2020, duke theksuar se rajoni do të jetë në qendër të prioriteteve shqiptare për organizatën.

Të fundit