Flash News

KRYESORE

Çfarë po ndodh me gjyqtarët e procesit të Tahirit?

Gazetarja Klodiana Lala raporton se treshja e gjyqtarëve të procesit "Tahiri" është mbyllur në dhomën e këshillimit, ku po diskutojnë për të dhënë një vendim final për ish-ministri e Brendshëm. Në një lidhje direkte me News 24, Lala theksoi se përgjatë 8 orëve ka pasur tenson dhe ankth në gjykatë, duke shtuar se ka prezencë edhe të mediave te huaja pranë Gjykates së Krimeve të Rënda.

“Që në orën 12:30 treshja gjykuese janë mbyllur në dhomën e këshillimit dhe prej atij momenti nuk kanë asnjë kontakt që do të thotë janë duke debatuar në lidhje me provat dhe për të dhënë fjalën e tyre të fundit sa i përket fajësisë apo pafajësisë për zotin Tahiri dhe ish-zyrtarin e lartë të Policisë së Vlorës Jaeld Çela. Kanë kaluar disa orë prej asaj kohe megjithatë Gjykata nuk ka arritur të dalë me një vendim. Përgjatë këtyre orëve ka pasur tension dhe ankth në Gjykatë.

Zoti Tahiri u largua për pak orë për t’u rikthyer në orën 15:45 dhe nga ai moment ka qëndruar herë brenda sallës dhe herë në ambientet e jashtme të gjykatës në shoqërinë e avokatit të tij Maksim Haxhia por edhe mbështetësve të shumtë që kanë mbërritur në ambientet e kësaj gjykate rreth orës 16:00 kur edhe ishte parashikuar shpallja e këtij vendimi. Një pritje e justifikuar për sa kohë është në lojë jo vetëm jeta e Saimir Tahirit si qytetar i Republikës së Shqipërisë por është në lojë e gjithë karriera politike e Tahirit dhe detyra e tij si ministër i Brendshëm. Ndërkohë që ky proces ka tërhequr vëmendjen e të gjitha mediave përfshirë mediave të huaja. Gjithashtu gjatë gjithë kohës kanë qëndruar në ambientet e gjykatës dhe përfaqësues të përfaqësive diplomatike të akredituara në vendin tonë", raportoi gazetarja Lala.

Tahiri rrezikon të dënohet me 8 vite burg, mirëpo nuk do të qëndrojë në qëli pasi do të apelojë çdo vendim të mundshëm.

Të fundit