Flash News

KRYESORE

Cila është e vërteta e shkarkimit të kryepolicit të Tiranës? Lajmi u publikua në media dy ditë më parë

Cila është e vërteta e shkarkimit të kryepolicit të

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj njoftoi pak orë më parë se është shkarkuar nga detyra Kastriot Skënderaj, drejtor i Policisë së Tiranës. Shkak për këtë vendim, sipas Lleshajt, ishte bërë sjellja joprofesionale e policisë në zonën pranë gjimnazit ‘Petro Nini Luarasi’ në kryeqytet, ku disa familje kundërshtojnë shembjen e godinës së banimit.

“Vendimi i kreut të Policisë së Shtetit për lirimin nga detyra të drejtuesit të Policisë së Tiranës është reagimi i duhur. Nuk mjafton që Policia të jetë ligjërisht në rregull. Prej saj kërkohet më shumë. Ajo duhet të jetë dhe me mendje e zemër në lartësinë që e kërkon ndjeshmëria dhe interesi i publikut. Jo si sot, tek rruga e shkollës "Petro Nini", shkruan Lleshaj në ‘Twitter’.

Por edhe pse Lleshaj njofton se shkarkimi ka ndodhur sot, në media është raportuar që ditën e shtunë për largimin e Kastriot Skënderajt. Media të ndryshme kanë publikuar lajmin për shkarkimin më 9 dhe 10 mars, ndërkohë që ka patur edhe ato media që referuar burimeve e kanë mohuar lëvizjen e kryepolicit të Tiranës, në një kohë kur ndryshimet po prekin drejtuesit më të lartë këtij institucioni.

Burime të tjera mediatike kanë raportuar edhe për përplasje midis Kastriot Skënderajt dhe drejtorit të Përgjithshëm, Ardi Veliut, e që nuk lidhet me situatën te ‘Petro Nini’.

Dyshimet ngrihen nëse ministri Lleshaj e përdori zyrtarizimin e shkarkimit të Skënderajt për të qetësuar opinionin publik, që është tronditur nga pamjet e sotme, apo kjo ngjarje u përdor si justifikim për të larguar kryepolicin e Tiranës pas përplasjeve të pretenduara me Ardi Veliun.

Ndërkohë, pas ndryshimeve në policinë e Vlorës, Fierit, dhe Tiranës, burime për Politiko.al kanë bërë me dije se shkarkimi pritet edhe për Ardi Veliun, drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Të fundit