Flash News

Ditari i Opozitës

Deputeti i PD 'shpërthen' në parlament: 200 pacientë me hepatit C presin vdekjen, ndërsa ju miratoni ligjin për jahtet

Deputeti i PD 'shpërthen' në parlament: 200 pacientë me

Në një fjalim nga foltorja e Kuvendit, deputeti i PD, Kliti Hoti ka denoncuar gjendjen e rëndë të sistemit shëndetësor në vend, duke e cilësuar atë si një situatë “përtej absurdes” dhe buxhetin e dedikuar si një “katastrofë”.

Deputeti ngriti alarmin për disa problematika kritike, duke filluar me laboratorët spitalorë. Sipas tij, pas datës 20 të çdo muaji, në këto laboratorë nuk kryhen më analiza, pasi mbarojnë fondet dhe reagentët.

Ai theksoi se kërkesat e tij të përsëritura për këtë çështje, si në komisionin parlamentar ashtu edhe në seancë plenare, kanë rënë në vesh të shurdhër, pa marrë asnjë përgjigje. Një tjetër pikë kritike e fjalimit ishte situata në shërbimin e kardiologjisë.

Deputeti pohoi se pacientëve që kanë nevojë për vendosjen e më shumë se një stendi (pajisje për zhbllokimin e arterieve), u vendoset vetëm një dhe më pas u thuhet të kthehen sërish, duke i ekspozuar ndaj rreziqeve dhe procedurave të përsëritura për shkak të mungesës së materialeve.

Denoncimi më tronditës lidhej me trajtimin e pacientëve të prekur nga Hepatiti C. Duke mbajtur në duar receta të dy pacientëve, deputeti shpjegoi se ekziston një listë prej 200 personash që presin trajtimin. Ai sqaroi se stadi i tretë dhe i katërt i kësaj sëmundjeje janë të pakthyeshëm dhe çojnë në vdekje nëse nuk trajtohen, ndërsa vonesa në trajtimin e stadeve të para bën që sëmundja të avancojë.

“Çfarë t’u them pacientëve që më shkruajnë mesazhe e më pyesin ‘çfarë u bë me ilaçin tim’? Që kam dy muaj që kërkoj përgjigje nga ministrja dhe nuk ma jep?”, deklaroi ai me indinjatë. Në fund, deputeti vuri në kontrast këtë realitet dramatik të shëndetësisë me prioritetet e qeverisë. Ai kritikoi faktin se ndërkohë që sistemi shëndetësor po shembet, deputetëve u kërkohet të mblidhen në komision në orën 7:30 për të miratuar, siç e quajti ai, “ligjin e sponsorizuar për jahtet”, duke lënë të kuptohet se interesat e qytetarëve po lihen pas dore përballë interesave të tjera.

Të fundit